Përurohet ura “Mabey Johnson” e ndërtuar nga FSK-ja
Në fshatin Hajnoc të Komunës së Kamenicës, u përurua ura e ndërtuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës, pas shembjes së urës së vjetër si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.
Në ceremoninë e përurimit të urës “Mabey Johnson” morën pjesë ministri në detyrë i Mbrojtjes Anton Quni, zëvendëskomandanti i FSK-së gjeneral major Enver Cikaqi, kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati, përfaqësues të KFOR-it amerikan, përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe oficerë të Xhenios të FSK-së.
Me këtë rast, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni u shpreh se kjo ngjarje pasqyron vlerat që personifikojnë e ushtarët e FSK-së, vlerën e humanizmit dhe solidaritetit me qytetarët.
Ministri Quni po ashtu falënderoi autoritetet komunale dhe Ministrinë e Infrastrukturës, të cilat së bashku kontribuuan në rikthimin e normalitetit dhe lehtësimin e qarkullimit të lëvizjes si një domosdoshmëri për secilin.
Ura “Mabey Johnson“ ka një gjatësi prej 36.58 metra dhe gjerësi 4.5 metra, me kapacitet të peshës prej 40-80 ton.
Kjo urë ka rëndësi të madhe për banorët e kësaj ane pasi lidhë 11 fshatra.