Përurohet ura mobile e ndërtuar nga FSK-ja në Shqipëri
Me ceremoni solemne është bërë të enjten përurimi i urës mobile në fshatin Zëmblak të prefekturës së Korçës-Shqipëri, ndërtuar nga xhenierët e FSK-së.
Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm: ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka, zëvendësministri i MFSK-së, Burim Ramadani, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, atasheu i FSK-së, kolonel Enver Dugolli, oficerë të lartë të ushtrisë së Shqipërisë dhe FSK-së, udhëheqës të Korçës dhe banorë të fshatrave përreth.
Në emër të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe të ministrit Rrustem Berisha, zëvendësministri Burim Ramadani ka përgëzuar xhenierët e FSK-së dhe të Shqipërisë, për punën e shkëlqyeshme që kanë bërë në ngritjen e urës në fshatin Zëmblak të Korçës.
“Jemi këtu për të dëshmuar gatishmërinë e Kosovës, institucioneve dhe FSK-së, që të ofrojmë ndihmë edhe për të tjerët, për Shqipërinë, për rajonin, si edhe më gjerë. Rruga e vetme që sjellë sukses dhe qëndrueshmëri për të gjithë ne, në rajon, është rruga e bashkëpunimit të plotë ndërshtetëror, rruga e mbështetjes së njeri-tjetrit, rruga e integrimit euroatlantik”, ka thënë Ramadani.
Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka falënderuar Qeverinë e Kosovës dhe FSK-në, për ndihmën në sanimin e shpejtë të gjendjes pas vërshimeve në Shqipëri. “FSK-ja dhe Qeveria e Kosovës na u përgjigjën që në minutat e para të emergjencës së dhjetorit, në përballimin e pasojave të saj. Ky kontribut këtu sot, për hir të së vërtetës, nuk është aspak i vogël, është një urë 54 metra, mjaft e konsiderueshme si aspektin e ndërtimit ashtu edhe në konstruksionin teknik të saj, por edhe si kontribut i Qeverisë së Kosovës dhe FSK-së, për këtë zonë. Përmes ndërtimit të kësaj ure keni lehtësuar komunikimin e 32 mijë banorëve me qendrat shëndetësore, me shkollat, me lëvizjen e lirë dhe komunikimin, me akset kryesore rrugore, që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për jetën edhe për përditshmërinë e mijëra banorëve të kësaj zone”, ka thënë Xhaçka.
Ndërsa komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka thënë se kjo ndihmë nuk krahasohet me përkrahjen që ka pasur populli i Kosovës nga shteti shqiptar, në kohërat më të vështira.
Batalioni i Xhenios i FSK-së, në Shqipëri, filloi ngritjen e urës mobile “Mabey Johnson” në fshatin Zëmblak të prefekturës së Korçës, më 3 shkurt dhe ka përfunduar ngritjen e saj në një afat rekord.
Ura ka një gjatësi prej 54 metrash; është ngritur mbi lumin Devoll, dhe është nyje e rëndësishme për lëvizjen e përditshme të mijëra banorëve të fshatrave të prefekturës së Korçës.