Përurohet ura në fshatin Breznicë
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kryetarin e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, kryetarin e Këshillit Lokal të Karaçevës së Poshtme, Selver Lenjani si dhe kryetarin e Këshillit Lokal të Breznicës, Nazim Hajdini sot kanë përuruar urën në fshatin Breznicës, urë kjo e cila lidh qytetarët e Kamenicës me ata të Bujanocit dhe Luginës së Preshevës.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati gjatë ceremonisë së përurimit të urës, tha që është kënaqësi e madhe që Komuna e Kamenicës ka dhënë një kontribut në ndërtimin e kësaj ure.
“Kam kënaqësinë që ne si komunë kemi dhënë kontribut që të krijohen kushte dhe lidhje më të mirë mes dy komunave. Uroj që ky projekt të jetë vetëm një fillim i mbarë në lehtësimin e jetës së banorëve të kësaj ane”, ka thënë ai.
Kastrati gjithashtu ka theksuar se në emër të Kamenicës dhe institucioneve të Kosovës iu kërkon falje banorëve që kanë mbetur në këtë pjesë për problemet me të cilat ata po ballafaqohen.
Edhe kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, ka thënë se kjo është një ditë e madhe pasi që ky projekt është projekti i parë që po realizohet në mes Kosovës dhe Serbisë që nga paslufta.
“Sot është një ditë e madhe, pasi që po përurojmë një urë që lidh dy shtete, dy komuna e dy fshatra. Shpresojmë të vazhdojmë me projekte të tilla edhe në të ardhmen”, ka thënë Arifi.
Ndërkaq edhe kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, ka thënë se ky është një projekt shumë i mirë dhe vetëm me vizione të tilla mund të ndihmohen qytetarët e Luginës.
“Ky është një projekt mjaftë i mirë, kur vizioni ndërtohet në bashkëpunim të shqiptarëve që ka për qëllim lehtësimin e komunikimit në mes qytetarëve. Ky bashkëpunim dhe bashkërendim duhet të vazhdoj edhe më tutje”, është shprehur ai.
Të lumtur në realizimin e këtij projekti u shprehen edhe dy kryetarët e Këshillave Lokale të Karaçevës dhe Breznicës të cilët uruan që projektet e tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Ky projekt i realizuar në mes të dy komunave kap vlerën mbi 52 mijë euro, prej të cilave 41 mijë euro janë investuar nga Komuna e Kamenicës dhe pjesa tjetër nga Komuna e Bujanocit.