Përurohet vendosja e shenjave me emra të rrugëve në Klinë
Në Komunën e Klinës është përuruar të hënën projekti për vendosjen e shenjave me emra të rrugëve për të gjitha rrugët në këtë komunë.
Në këtë aktivitet, u bë me dije se mungesa e adresave të unifikuara dhe e shenjave me emra rrugësh ka qenë një sfidë për këtë komunë.
Ky projekt është mundësuar nga donacioni i Autoritetit Norvegjez për Kadastër dhe Hartografi “Kartverket”, implementuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, respektivisht nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.
Po ashtu, në një takim mes kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), Avni Ahmeti, dhe kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, u theksua se bashkëpunimi mes këtyre dy institucioneve nuk do të përfundojë me kaq, duke potencuar që për vitin e ardhshëm do të shqyrtojnë të gjitha mundësitë për vendosjen e numrave të adresave për secilën shtëpi, në secilën shtëpi.