Përurohet xhamia “Imer Mehmeti” në Shupkovc të Mitrovicës
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka marrë pjesë në përurimin e xhamisë në fshatin Shupkovc.
Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Ternava, kryetari i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Enis Rama, hoxhallarë dhe disa qytetarë të cilët iu gëzuan ndërtimit të kësaj xhamie.
Me këtë rast, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka përshëndetur të pranishmit dhe ka falënderuar iniciatorët e ndërtimit të kësaj xhamie, duke thënë se edhe komuna e ka mbështetur nga fillimi ndërtimin e xhamisë, pasi që është shtëpi e Zotit, dhe e cila sjell vetëm të mira, paqe dhe harmoni për banorët e këtij fshati. “Të gjithë ata që kanë qenë pjesë e punëve të mira në përgjithësi, e sidomos ata që ndihmuan ndërtimin e kësaj xhamie të jenë të bindur se kjo është një dhunti që Allahu ia ka dhënë që të bëj punë të mira”, ka thënë Bahtiri.
Po ashtu në fjalën e tij kryetari i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, Enis Rama, ka falënderuar të gjithë akterët që kanë kontribuar në ndërtimin e kësaj xhamie, dhe ka uruar që ta gëzojnë atë me të gjitha të mirat.