Përveç Kastriot Rexhepit edhe një deputet tjetër i Besës pritet të mbetet pjesë e shumicës?!
Lëvizja BESA sot ka mbajtur mbledhjen e radhës të Kryesisë Qendrore. Në kumtesën dërguar mediave, mes tjerash, nga partia e Kasamit shprehin shqetësim se pushteti po bën presion tek deputetët e Besës.
“I bëjmë apel pushtetit aktual LSDM-BDI që urgjentisht të ndërpresin presionin me të gjitha format e mundshme që po ushtrojnë ndaj deputetëve të Lëvizjes BESA. Për këtë çështje kemi njoftuar edhe faktorin ndërkombëtar në vend. Veprimet për cënim të integritetit profesional të deputetëve dhe presioni që po ushtrohet ndaj tyre është edhe një dëshmi se demokracia dhe veprimi i lirë politik në Maqedoninë e Veriut po vendohet në rrezik” shkruhet në kumtesën e Lëvizjes Besa.
Po a është ky një paralajmërim që pas Kastriot Rexhepit, edhe ndonjë deputet tjetër i Besës të dalë kundër partisë, ose ta lëshojë atë?
Aktualisht shumica parlamentare ka 59 deputetë. Ndonëse ende nuk e ka konfirmuar, me shumë gjasa Kastriot Rexhepi që nuk e votoi rrëzimin e Qeverisë, do t’i bashkohet shumicës parlamentare. Për këto ai të hënën do të flasë në emisionin ClickPlus. E sot, deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, e pyetur nga TV21 nëse presin që Rexhepi t’i bashkohet shumicës, tha se “ndajnë vlera të përbashkëta, andaj beson se ai lehtë do të gjendet në platformën e shumicës në Kuvend”.
Krahas kësaj, TV21 nga burime të tij mëson se me shumë gjasa edhe një deputet tjetër i Besës do të kthehet tek shumica parlamentare.
Përndryshe, gjithnjë e më tepër shtohen zërat se edhe Alternativa me 4 deputetët e saj mund të bëhet pjesë e pushtetit. Zyrtarisht nuk ka asnjë ofertë apo hap konkret publik, por deputetja Petrovska nga LSDM, siç i tha TV21, mendon se shumë lehtë mund të gjenden në një pikët të përbashkët me Alternativën.
Nëse këto kalkulime realizohen, shumica do të arrinte 65 deputetë./TV21