Përvjetor / Kongresi i Manastirit – themel i bashkimit dhe i zhvillimit të kombit
Shkruan: Hasan Mujaj
“Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe.”
M. Frashëri
Kongresi i Manastirit! Një emërtim i shenjtë. Për atdheun dhe kombin. Dritëdhënës i përhershëm i historisë shqiptare.
Njëqind e gjashtëmbëdhjetë vjet më parë: më 14-22 nëntor të vitit 1908 u trupëzua një arritje lapidare; madhështore dhe me vlerë gjithëkombëtare. U mbajt Kongresi i Manastirit. Aty u vu themeli i patrandur i zhvillimit dhe i shkrimit të gjuhës shqipe me alfabet të njësuar.
Krijimi i një alfabeti të vetëm për gjuhën shqipe ishte imperativ i kohës dhe ishte shtruar si kërkesë prioritare e lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, sidomos nga programi kombëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nga Lidhja e Pejës etj. Sepse, shkrimi i gjuhës shqipe me disa alfabete të shoqërive kulturore shqiptare të Shqipërisë dhe të mërgatës jo vetëm që paraqiste vështirësi të ndryshme, por ishte bërë edhe shkak grindjesh e gërnjash brendashqiptare të klubeve e shoqërive kulturore. Madje mungesa e një alfabeti të gjuhës shqipe i shërbente si dëshmi faktorit antishqiptar për ta arsyetuar qëndrimin se shqiptarët nuk kanë të drejtë ta kërkojnë shtetin pasi nuk e kanë alfabetin.
Iniciativën për ta mënjanuar këtë të metë e mjet përçarjesh ndërshqiptare – çështjen e alfabetit, e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit që nga shtatori i vitit 1908, kryetar i të cilit ishte Fehim Zavalani. Vendimi i këtij klubi për të organizuar Kongresin e Manastirit bëri jehonë publicistike edhe në relacionet ndërkombëtare; kështu p. sh. shtypi frëng, italian etj. shkruante se shqiptarët do të mblidhen për të marrë vendime të bashkimit politik për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe jo për shkrimin e teksteve shkollore!
Në Kongresin e Alfabetit morën pjesë pesëdhjetë delegatë me të drejtë vote, të ftuar nga organizuesi, të cilët përfaqësonin klube dhe shoqëri kulturore të lëvizjes kombëtare të Shqipërisë etnike dhe të mërgatës shqiptare nga njëzet e gjashtë qytete, nga katër vilajete: Vilajeti i Shkodrës, Kosovës, Janinës dhe i Manastirit.
Dy ditët e para të punës, nga kërshëria e kureshtja, nga galdimi e hareja ku pritej të marrë zgjidhje çështja tejet e rëndësishme kombëtare, Kongresin e ndoqën rreth katërqind pjesëmarrës.
Kongresi, me vota të fshehta, zgjodhi kryesuesit e veprimtarisë; ata qenë flamurtarë elitarë të lëvizjes kombëtare për të drejtat nacionale të dëshmuar me vepra në fushën e publicistikës, të letërsisë, të politikës, të kulturës, të historisë shqiptare etj.
Kryetar i Kongresit të Manastirit u zgjodh Mit-hat Frashëri (Lumo Skëndoja), të cilin një publicist me të drejtë e kishte pagëzuar me emërtimin apodiktik “Gjeniu i Kombit”, ndërsa nënkryetarë u zgjodhën: Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi; kryetar i komisionit për të zgjedhur dhe për t’ia propozuar Kongresit për miratim alfabetin e gjuhës shqipe u zgjodh Gjergj Fishta, vështirë i përsëdytshëm për veprimtarinë kombëtare, letrare, arsimore etj.; sekretarë të Kongresit: Hilë Mosi, Thoma Avrami dhe Nyzhet bej Vrioni.
Pas propozimit të komisionit, pas marrjes së shumë telegrameve që i erdhën Kongresit nga Gegëria që e kërkonin alfabetin e shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës dhe kërkesave nga Toskëria për alfabetin e Stambollit si dhe pas shumë diskutimesh në Kongres, u miratuan dy alfabete mbi bazën e alfabetit latin që kishin përdorim të gjerë në shkolla, në publicistikë etj.; pra alfabeti i “Bashkimit” dhe i Frashërit, (i “Stambollit”) “me disa ndryshime, sipas nevojave të gjuhës.” (Shaban Demiraj-Kristaq Prifti, Kongresi i Manastirit, Tiranë, 2004, 98).
Alfabeti i Stambollit, pasi ishte më i ndërlikuar dhe jo aq pragmatik për botimin e librave, nuk pati shtrirje të gjerë përdorimi. Alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” që u miratua në Kongresin e Manastirit, ishte “më i lehtë dhe më praktik për botime librash etj., erdhi dhe u përhap gjithnjë e më shumë kështu që aty nga fundi i Luftës së Parë Botërore ky alfabet mbeti në përdorim për të gjithë shqiptarët…” (Kongresi i Manastirit, f. 104).
Në rezolutën e dytë të Kongresit u fut mendimi i komisionit të alfabetit tek thuhej se “pas dy vjetësh (më 10 korrik 1910 ) do të mbahej në Janinë një kongres tjetër për çështjen e gjuhës dhe të letërsisë shqipe.” (Kongresi i Manastirit, f. 110).
Kongres i unitetit gjithëkombëtar
Kongresi i Manastirit, pasi miratoi dy alfabete për shkrimin e gjuhës shqipe, tumiri edhe një program të pasur gjithëkombëtar dhe tejet të rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme të lëvizjes shqiptare në aspektin arsimor, politik, ekonomik, kulturor, ndërkombëtar etj. Prandaj, shihet se Kongresi i Manastirit nuk qe vetëm Kongres i alfabetit të gjuhës shqipe. Jo. Ai ishte shumë më i gjerë, shumë më domethënës për të ardhmen e zhvillimit të kombit dhe për pavarësinë e Shqipërisë.
Në këtë program, ndër të tjera, parashikohej të zhvillohej dhe të thellohej zgjimi i vetëdijes kombëtare. Si mjeti më efikas që të ngrihej më lart kultura për veprimtarinë e unitetit kombëtar për pavarësinë e Shqipërisë, me të drejtë ishte paraparë përhapja e shkollave në gjuhën shqipe me gjuhën shqipe “si gjuhë mësimi në të gjitha shkollat. Gjuha turke do të mësohej vetëm nga viti i katërt (si gjuhë e dytë).” (Kongresi i Manastirit, f. 113 ).
Në programin kombëtar kërkohej kundërvënia e lëvizjes shqiptare ndesh rrymës xhonturke që orvatej ta impononte alfabetin arab për shkrimin e gjuhës shqipe; në aspektin politik parashtrohej zgjerimi i bashkëpunimit ndërkombëtar për shtetin e pavarur shqiptar; themelimi i ushtrisë kombëtare shqiptare; në programin kombëtar të Kongresit të Manastirit parashihej hapja e një universiteti në gjuhën shqipe dhe të bëhej “përgatitja e profesorëve shqiptarë jashtë vendit për këtë univesitet” {f. 115); kërkohej të punohej për zhvillimin ekonomik të vendit, për shfrytëzimin e resurseve natyrore të minierave, për ndërtimin e hekurudhave, për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, për urat në terren për transportin e prodhimeve bujqësore etj.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte shtysa pararendëse e intensifikimit dhe e bashkërendimit të veprimtarisë pankombëtare shqiptare, për ta shpënë përpara lëvizjen politike dhe arsimore shqiptare në kohën kur thellohej politika antishqiptare për rrëmbimin e territoreve të Shqipërisë etnike.
Pas programit kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, veprimtarët e mëdhenj të Rilindjes Shqiptare, në rrjedhën e përpjekjeve pragmatike për t’i sendërtuar kërkesat e Lidhjes ndër të cilat ishte edhe përdorimi i gjuhës shqipe dhe formimi i alfabetit, hartuan një alfabet të gjuhës shqipe që hyri në histori me emrin Alfabeti i Stambollit (më 1879).
Autorët e këtij alfabeti mbi bazën e alfabetit latin qenë: Sami Frashëri, Jani Vretoja e Pashko Vasa dhe ndoqën parimin: një tingull, një shenjë grafike. “Të moslëvruarit e gjuhës amtare, sigurisht, e ka favorizuar procesin e asimilimit të një pjese të shqiptarëve…”- shkruante Sami Frashëri. Ai me të drejtë mbronte mendimin se alfabeti i shqipes ta kishte bazën në alfabetin latin duke shtuar se Shqipëria “është vend evropian dhe populli shqiptar është një popull evropian.”
Politika e Serbisë kundërshtonte Kongresin e Manastirit
Kundër Kongresit të Manastirit, si përherë, vepronte politika e Serbisë dhe e Malit të Zi për ta penguar zhvillimin e lëvizjen kombëtare shqiptare për formimin e shtetit të pavarur dhe gjithnjë me pretendimet e pushtimit të territoreve shqiptare. Megjithëkëtë, nuk arrinin ta ndalonin së vepruari lëvizjen shqiptare për ta ruajtur dhe kultivuar identitetin kombëtar. Lëvizja kombëtare sa vinte e po konsolidohej dhe zgjerohej. Burimi i diturisë – shkolla shqipe, gjuha shqipe, po zhvilloheshin përditë.
Bëhet e ditur se në verën e vitit 1908, në prag të Kongresit të Manastirit, në qytete e fshatra krahinash të ndryshme shqiptare, u themeluan dyzet klube kulturore shqiptare, të cilat shërbyen edhe si shkolla të zhvillimit të arsimit shqip.
Kështu veproi në vjeshtën e vitit 1908 edhe klubi i Shkupit në krye me atdhetarin e shquar Nexhip Dragën. Autoritetet xhonturke, për ta penguar dhe ndaluar mësimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe në Durrës, Shkodër, Dibër etj. i angazhuan edhe klerikët myslimanë kinse kjo veprimtari ishte “kundër” fesë islame dhe Kuranit!
Shtypi shqiptar bëri reagime të mëdha ndaj këtyre veprimeve imagjinare e fiktive xhonturke dhe vuri në dukje rëndësinë kombëtare, arsimore, kulturore etj. të shkollës shqipe dhe të alfabetit të gjuhës shqipe.
Kongresi i Manastirit, duke miratuar dy alfabete, la hapësirë që të vazhdonte propaganda e turqve të rinj për ta favorizuar përdorimin e alfabetit arab për shkrimin e gjuhës shqipe duke krijuar kështu edhe më tej ndasi ndërshqiptare. Kjo propagandë kishte shtrirë ndikimin, sidomos në Shkup tek ishte themeluar “Shoqëria për shkruarjen e gjuhës shqipe me alfabet arab.” Për këtë qëllim të kësaj shoqërie organizoheshin dhe mbaheshin mitingje dhe forma të tjera reagimesh sipas të cilave kërkohej mënjanimi i alfabetit latin! Mbi këtë bazë të ndasive u krijuan edhe termat “latinistë” dhe “arabistë.”
Ndërhyrja e elitës kombëtare shqiptare në krye me Gjergj Fishtën, Hasan Prishtinën, Mit-hat Frashërin e shumë të tjerë, bëri që të tejkalohet gjendja e ndërlikuar dhe të mbizotërojë mendimi i përdorimit të alfabetit latin. U kundërshtua propaganda shterpë: xhonturke, bullgare, serbe etj. sipas së cilës mbështetej alfabeti arabo-osman për shkrimin e gjuhës shqipe.
Rreth rëndësisë së alfabetit për gjuhën shqipe dhe për kombin shqiptar, Gjergj Fishta shkroi: “Alfabeti i vetmi mjet me të cilin kombi do të përparojë. Po të mos zgjidhej alfabeti Shqipëria do të pësojë humbje të mëdha madje është e parëndësishme se cili do të jetë ai, por ta kemi një. Nga kjo varet bashkimi, përparimi dhe qytetërimi i kombit.”
Me gjithë vështirësitë e mëdha, me veprimtarinë e vazhdueshme të lëvizjes kombëtare shqiptare, u njësua alfabeti i gjuhës shqipe ky që është edhe sot; nga shtatë-tetë që përdoreshin dikur për shkrimin e gjuhës shqipe. Pra, u realizua arritja historike e identitetit kombëtar.
Por, jo vetëm kaq. Veprimtaria politike antishqiptare, në krye me politikën serbe, vazhdonte të krijonte ndasi të tjera: me pushtimin me detyrim të territoreve shqiptare; pushtimi i Kosovës, i cili u bë me administrimin ushtarak serbo-jugosllav më 8 shkurt të vitit 1945 të vendosur në Prizren. Ky rrëmbim i dhunshëm i Kosovës nga Serbia bëri ndarjen e kombit, e cila solli ndarjen e gjuhës shqipe në përdorimin zyrtar: u krijuan dy standarde brenda një gjuhe në përdorimet zyrtare! Politika e Beogradit synonte që kombin shqiptar ta mbante të ndarë edhe përmes gjuhës dhe thoshte: “albanski jezik” quhet gjuha shqipe për shqiptarët e Shqipërisë, kurse për shqiptarët e ish- Jugosllavisë përdorte emërtimin “shiptarski jezik.” Sipas kësaj politike shoviniste ishin dy gjuhë brenda një gjuhe!
Studiuesit dhe intelektualët e Kosovës e kishin parë këtë politikë të Beogradit për ta mbajtur kombin shqiptar të ndarë, andaj, të nxitur nga shtysat shkencore dhe gjithëkombëtare, ndonëse në rrethana të ndera politike, më 22 dhe 23 prill të vitit 1968, mbajtën në Prishtinë Konsultën Gjuhësore, e cila solli një kthesë të re madje historike jo vetëm në aspektin shkencor të zhvillimit të gjuhës shqipe, porse edhe në pikëpamjen e ndërlidhjes, të bashkëpunimit dhe të integrimit gjithëkombëtar shqiptar.
Në këtë Konsultë, me porosinë: “ Një komb një gjuhë standarde “ morën pjesë jo vetëm shkencëtarët më të spikatur të albanistikës, por edhe intelektualë shqiptarë nga Mali i Zi dhe nga Maqedonia, studentë, shkrimtarë, gazetarë etj. u mor vendimi i njësimit të gjuhës shqipe në një standard gjuhësor në të gjitha përdorimet zyrtare të saj për shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në mërgatën shqiptare etj.
Sikundër pritej, kundër vendimit të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës, pasuan reagimet e Beogradit zyrtar madje u kërkua moslejimi i mbajtjes së saj nga autoritetet në Prishtinë, sepse politika serbe njësimin e gjuhës shqipe, e kualifikoi si homogjenizim gjithëkombëtar të shqiptarëve. Do theksuar se zyrtarët e lartë të Prishtinës, duke e parë rëndësinë dhe vlerën e lartë shkencore dhe kombëtare të kësaj Konsulte, jo vetëm që nuk e ndaluan mbajtjen e saj, por u solidarizuan me vendimin që mori, i pritën zyrtarisht kryesuesit e Konsultës dhe i përgëzuan për këtë arritje me domethënie të lartë historike, kombëtare dhe shkencore.