Përvjetor / Tetëdhjetë vjet nga vdekja e Gjergj Fishtës
“Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar”. L.Poradeci
Hasan Mujaj
Nga dhuntia e krijimtarisë letrare dhe e trupëzimit të shprehjes artistike, ekspresive e impresive të shkallës sipërore, nga talenti i sendërtimit art e artësim i shprehjes poetike, nga kognicioni ekskluziv e eksplicit si dhe nga përkushtimi permanent për lirinë gjithëkombëtare, tipare këto që e shquanin prore, Gjergj Fishta qe dhe mbeti personalitet vigan madje aq sa vështirë, tejet vështirë i përsëdytshëm as në kohën e sotme.
Të dhëna të shkurtra biografike. Gjergj Fishta u lind në fshatin Fishtë të Zadrimës në vitin 1871. Mësimet e para i ndoqi në Kolegjin Françeskan të Troshanit. Studimet në drejtimin e filozofisë e të teologjisë i kreu në Bosnjë e Hercegovinë. U kthye në atdhe dhe shërbeu famullitar në Gomsiqe. Në bashkëpunim me abatin e Mirditës Preng Doçi etj. themeluan shoqërinë letrare e kulturore “Bashkimi”. Në Shkollën Françeskane të Shkodrës, që u caktua ta drejtonte (1902), ishte i pari që e futi gjuhën shqipe si lëndë mësimi.
Mori pjesë në Kongresin e Manastirit (1908), i cili i vuri vetes detyrë të madhe historike e kombëtare, u zgjodh kryetar i Komisionit për caktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Më pas (më 1913) themeloi revistën e njohur “Hylli i Dritës” që u bë një tribunë zulmëmadhe publikimesh letrare, gjuhësore, kombëtare, arsimore etj. të kohës. Fishta qe anëtar i “Komisisë Letrare-Gjuhësore” të Shkodrës (1916-1918). Gjithnjë aktiv edhe në ecurinë e zhvillimeve politike shqiptare dhe me njohuri të gjera retorike, ai u autorizua të përfaqësonte Shqipërinë në disa konferenca ndërkombëtare të nivelit të lartë shtetëror si p.sh. në Konferencën e Paqes në Versajë (1919), në Konferencën Ballkanike në Athinë (1930), në Bukuresht (1932) etj. Pas disa botimesh të pjesshme, botoi kryeveprën Lahuta e Malsisë (të përfunduar) në Shkodër më 1937. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.
Ai la pas vetes një veprimtari të pasur, shumë të pasur: heterogjene e inspiruese; letrare: lirike, epike, dramatike, publicistike, retorike, politike, kulturore, teologjike, historike, gjuhësore, arsimore etj.: një veprimtari e tëra kontemplative, ndriçuese e jehuese, sa mbresuese aq edhe frymëzuese përmasash të përhershme; një veprimtari që sa më ashpërsisht ndalohej të lexohej nga regjimi komunist, i cili ishte pajtuar me rrëmbimin e territoreve shqiptare nga shtetet përreth dhe veprimtarinë e Fishtës e pa si shtysë flakëruese me ndikim bindës të kundërshtimit ndaj padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve, krijimtaria letrare e Gjergj Fishtës aq më shumë kërkohej, qarkullonte ilegalisht, mësohej, këndohej e recitohej me gjithë masat represive të diktaturës përgjuese; vepra Lahuta e Malsisë do të ketë jetë të gjatë aq sa do të ketë jetë gjuha shqipe, d. m. th. përherë.
Me gjithë faktin se për këtë vepër janë shkruar shumë studime dhe analiza, pasuria e vlerave të ndryshme që përmblidhen në të, vlen të ndiqet edhe nga stilistika gjuhësore dhe të gjitha subdisiplinat e saj si dhe nga dijet: socioonomastika shumë e pranishme, toponimia e antroponimia, semiotika e tekstit etj. Sepse, pa e ndjekur stilin e Fishtës edhe nga shkencat e sipërpërmendura, të cilat në krijimtarinë e këtij autori gjejnë materie të pasur hulumtimi, shumë vlera të larta, sidomos stilistike, estetike, epistemologjike, bihevioristike etj., do të mbesin të pazbuluara.
Kjo vepër paraqet një mal të madh e të dendur mjetesh të shprehësisë tekstore, në veçanti nga stilistika gjuhësore, pa vrojtimin e të cilave (mjete) një vepër letrare, pasaçërisht poetike, nuk mund të quhet e gjurmuar nga të gjitha fushat e fushëzat e stilizimit estetik. Stili i Fishtës është relacional. Ai, si i këtillë, si prototip, ka shtrirje të gjerë në disa shkenca si: sociokulturore, etnografike, , psikolinguistike, emotive,shtrihet në psikologjinë sociale etj. madje, kjo e fundit, pati, por ka edhe sot ndikim eklatant e të veçantë te të gjitha shtresat e lexuesve në pikëpamjen e gatishmërisë flijuese për të mbrojtur mëvetësinë dhe etninë kombëtare. Një vëzhgim semiotik i këtij stili do të vërë në dukje deiktikët konotativë nga trupëzimi i të cilëve ngrihen stilema eufonike dhe me vlerë të lartë artistike.
Zotësia e lartë e forcës tekstkrijuese metaforike, të cilën e kishte Gjergj Fishta, paçka shpesh e ndikuar dhe e gërshetuar me stilin e krijimeve të epikës popullore, meriton vëmendjen e studiuesve për t’i kapur në kundrim kokonstituentët e njësive gjuhësore nga përbërësit më të vegjël- fonemat, që në kryeveprën e tij Lahuta e Malsisë, ngrihen në funksion figurash bukurtingëlluese si p.sh.: asonanca, aliteracioni, rima etj. të fushës së fonostilistikës dhe të subdisiplinave të tjera të stilistikës gjuhësore.
Përshkrimi i zhvillimit të skenave heroike e flijuese për të zgjeruar e përforcuar lëvizjen shqiptare, siçdëshmohet nga vargjet e kësaj vepre, ndiqet nga kushtrimi i poetit për t’i zgjuar ndjenjat atdhetare që të krijohet një forcë e përbashkët për t’i mbrojtur të gjitha krahinat e Shqipërisë etnike. Nga kjo pikëpamje Fishta shprehet me figura të intensionalitetit të lartë inspirimi e veprimi, sidomos me vargjet eksklamative grish personalitete të merituara historike e me zulmë të shkallës gjithëkombëtare të kohës si: Haxhi Zeka, Ali Pasha i Gucisë etj. për bashkimin e rezistencën për t’i sendërtuar aspiratat nacionale p. sh.:
“e do t’ dal un der’ kah Peja,
der’ kah Peja, der kah Reka,
për me u pjekë te Haxhi Zeka etj.”
Shikuar nga aspekti i mikrostilistikës, në kryeveprën e Fishtës, me vlerë të madhe stilistike e logjike dalin të jenë edhe semantostilemat, të cilat shfaqen si shtysa farfuruese e motivuese për të shpënë përpara konsolidimin e lëvizjes kombëtare. Fishta është talent i ndërtimit të tyre andaj ato mbresojnë nga ndikimi i figurave stilistike funksionalisht metaforike që e bëjnë qëndresën shqiptare shkëmb të pathyer. Semantostilemat shpirtëzojnë me ngazëllim natyrën shqiptare e kreshtat e saj që “marrin pjesë “ në fushëbetejat e fitoreve të Oso Kukës e të heronjve të tjerë. Me paralelizëm poetik e figura stilistikisht efektive autori kërkon e përshkruan mobilizimin homogjen të krahinave e të qyteteve shqiptare pa asnjëndasi fisnore, fetare, lokale etj. për të mbrojtur sovranitetin e Shqipërisë. “Para Shqipnisë e për Shqipni s’ ka Gegë as Toskë, malsorë as qytetarë të izoluem: të gjithë janë bijtë e saj në punë dhe ushtarë të saj në luftë”- shkruan E. Koliqi.
Për shembull: “E t’janë çue Toskë e Dibranë
e janë ngrehë Lumë e Pejanë,
Gash, Krasniqe e Gusijanë,
me Gjakovë e me Tetovë,
me ra n’Tuz, me ra n’ ushtri,
me dhanë jetën për Shqipni etj.”
Veçori e stilit të Gj. Fishtës, sikundër shihet shumë shpesh e përsëritur në veprën
Lahuta e Malsisë, është kërkesa, madje e shprehur në mënyrën urdhërore, për
unitetin e faktorit shqiptar në favorin e shtetit dhe të kombit.
Ftesë të këtillë kishte bërë edhe Gjergj Kastrioti që në vitin 1444 kur i bëri tok
princërit shqiptarë në Kuvendin Lidhja e Lezhës në të cilin u mor vendimi për
luftën ndesh otomanëve.
Elokucioni i fjalimeve politike
Temë qendrore e frymëzimit të Gjergj Fishtës në krijimet artistike qe liria e atdheut dhe në përgjithësi çështja e pazgjidhur shqiptare. Shkrimet dhe fjalimet e Fishtës hapnin, trajtonin e pasqyronin përpjekjet e vazhdueshme të lëvizjes shqiptare për të drejtat nacionale që sa vinin e po ngriheshin e po konsolidoheshin në vijimësinë e shkëndijave të Rilindjes Kombëtare. Fishta, këtë shtrirje të lëvizjes shqiptare, e pa drejt: nga kufijtë historikë, nga Tivari në Prevezë; ai, me lirizëm inspirimi thellësisht të përjetuar, me forcën e lartë ekspresive të figuracionit poetik, me aftësinë elokutive të retorikës e të stilistikës, grish lexuesit e malet përmendore të vihen në funksion të sendërtimit të aspiratave shekullore kombëtare, në shërbim të krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, të Shqipërisë etnike. Me aftësinë e thukët retorike, me metaforat flakë, zgjoi ndjenjat e zjarrta e të rrëmbyeshme si valë deti të shqetësuar të lexuesve në shkrime dhe të dëgjuesve në fjalime për t’u flijuar për çdo pjesë të vendit, për moralin dhe identitetin kombëtar.
I dëshmuar si personalitet me kulturë të gjerë, poliglot e njohës i thellë i zhvillimeve politike dhe i përkushtuar denjësisht për t’i dalë zot çështjes shqiptare në nivelin më të lartë të konferencave ndërkombëtare, nuk është habi që Fishta do të autorizohet të përfaqësojë Shqipërinë si sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Versajë më 28 qershor 1919 dhe fjalimi politik i përgatitur nga Fishta bëri jehonë të veçantë dhe madje befasoi diplomatët e pranishëm me forcën e fjalës politike.
Në këtë fjalim Gj. Fishta e kapi çështjen shqiptare nga rrënja e realitetit e jo nga pipi e personalizimi për ta përvetësuar ndonjë meritë siç ngarendin sot disa liderë për ta zënë primatin politik. Fjalimi i oratorit të ndritur, edhe pse i mbajtur një shekull më parë, krijoi përshtypje të veçantë mbresuese në qarqet e diplomacisë ndërkombëtare dhe u ndoq me kureshtje të përqendruar. Ky fjalim, i mbështetur në fakte shkencore e politike fushash heterogjene, sidomos në kriteret e retorikës, edhe sot qëndron i patrandur dhe duhet të mbahet parasysh si shembull tipik i formimit të lartë retorik dhe i zotësisë oratorike; fjalimi në vështrim vlen të spikatet nga treguesit kryesorë të shkencës së retorikës si: përmbajtja, persuasioni, erudicioni, elokucioni etj., të cilët një fjalim politik e veshin me vlerat e përhershme universale pa marrë parasysh sistemet e rrymat politike që bien e ngrihen.
Qe ky një fjalim antologjik në të cilin Fishta shtroi e zbërtheu shumë çështje historike, kombëtare, politike, strategjike, etike, psikologjike, ndërkombëtare etj.të së kaluarës dhe të kohës së retorit; oratori i talentuar Fishta pasqyroi gatishmërinë e shqiptarëve për t’u flijuar për sovranitetin dhe integritetin territorial të Shqipërisë. ‘’Ai popull i shpellave jehuese dhe i maleve e karmeve vigane’’ përherë do të qëndrojë i patrandur për t’i dalë zot Shqipërisë natyrore.
Fjalimi nënkupton përkushtimin e oratorit për të pasqyruar strategjitë fiktive politike të shteteve fqinje të Shqipërisë për të aneksuar krahina të tëra shqiptare siç pretendon edhe sot politika serbe. Fjalimi ndiqet edhe nga kritika politikisht të themelta kundër tendencave antishqiptare, të cilat sa vinin e po shtoheshin për të ndarë sa më shumë territore të Shqipërisë natyrore.
Në fushën e retorikës Fishta do të spikasë edhe në takimet e tjera të nivelit të lartë si në Nju Jork, Uashington D. C. për njohjen diplomatike të Shqipërisë; në konferencat ballkanike si në Athinë, Sofje, Bukuresht etj. Por, nuk janë vetëm fjalimet politike tek shihet zotësia oratorike e Gjergj Fishtës. Jo. Fishta kishte intuitë të thellë shkrimtari, e cila vihet re edhe në veprat letrare të tij si p.sh.: Juda Makabe, Vallja e Parrizit, Anzat e Parnasit, Mrizi i zanavet etj., të cilat shquhen nga vlerat e larta përmbajtësore dhe artistike të gjinive të ndryshme letrare (lirike, epike, dramatike) dhe dëshmojnë potencialin e gjerë kreativ që e kishte autori. S’ka dyshim se në krijimtarinë letrare të Fishtës kryet e vendit e zë vepra Lahuta e Malsisë, e cila vlon, ndriçon e artëson visarin e pasur të leksikografisë të gurrës së dëlirë burimi. Fishta ndoqi me kërshëri dhe e qëmtoi leksikun popullor nga trojet e viseve malesh të dendura e të parrahura që ruajnë pasurinë burimore leksikografike e frazeologjike të gjuhës shqipe; këtë vlerë leksikore e stilizoi me përkushtim inventiv, sidomos në veprën Lahuta e Malsisë, e cila prore do të mbetet gurrë e pashtershme vlerash estetike e stilistike. Këtë aftësindërtimi e pati Fishta ngase gjuhën shqipe me arsye e pa si vlerë të lartë të krijimit artistik. Estetika, si teori arti, në tekst, ngrihet nga gjuha. Ernest Koliqi, për aftësinë stilistike të Fishtës, shkruan: ‘’Lexoni një varg të Lahutës së Malcis, venja veshin kumbimit të tij. Vëreni vendosjen e fjalëve në fjali.’’
Ndonëse nuk u mor ekskluzivisht me studimet gjuhësore, Fishta çmonte shumë lart rëndësinë e gjuhës shqipe si vlerën më të ngritur kombëtare: mori pjesë aktive në takimet me relevancë historike për zhvillimin e saj: kryetar i Komisionit për themelimin e alfabetit të shqipes (në Kongresin e Manastirit, më 1908), në Komisinë Letrare Gjuhësore të Shkodrës (1916-1918); gjuhën shqipe e pati temë frymëzimi edhe në krijimtarinë letrare si p.sh. vjersha “Gjuha shqype” madje me ngjyrim romantik sajon forcën e ekspresivitetit me emfazë mbresimi përmes figurës së krahasimit p. sh.:
‘’Porsi vala e bregut t’detit,
Porsi gjama e rrfes zgjetare,
Porsi ushtima e njij termetit,
Njashtu a’gjuha e jonë shqyptare.’’
Kognicioni i pasur nga shkencat e komunikimit e të gjuhës: retorika, stilistika, estetika, semantika, leksikologjia, frazeologjia etj., i dha hapësirë të pakufizueshme të pasqyronte kulturën etike, etnologjike, etnografike, sociokulturore etj. të krahinave të ndryshme të Malësisë shqiptare me forcën e figurative stilistike dhe frazeologjike të letërsisëpopullore p.sh.:
‘’Veç se fjalë e la dikushi,
Qi me ‘i ‘t’ sjellme s’pritet lisi.’’
Në këto vargje , shikuar nga semiotika e tekstit,mbërthehet një porosi shumë domethënëse se veprat e mëdha (këtu lufta) kërkojnë qëndresë deri në fitoren përfundimtare. Madhështia përshkruese e stilistikës së Fishtës vërshon rrëmbyeshëm në shkrimet e këtij personaliteti, sidomos në Lahuta e Malsisë për të demonstruar artistikisht panorama mahnitëse nga atraktiviteti i natyrës shqiptare p.sh.: “Po a s’ta mbushë synin Shqipnia,
me ato male të madhnueshme,
me ato fusha të blerueshme etj.”Ose:
‘’Rreth e çark i shtrohet para,
Me liqej, me lume e ara etj.”
Lasgush Poradeci, me metaforën “shkëmb”, me shumë të drejtë e pa Fishtën si penë udhërrëfyese të kombitdhe e quajti: ‘’shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar.’’