Përzgjedhje poezish nga Adrijan Vuksanoviq
Adrijan Vuksanoviq
ATY KU PËRFUNDON POEZIA E FILLON FJALIMI I THJESHTË
Afërsia jote e ushqen dobësinë
Nuk di t’i gjej fjalët
dhe hapësirës ndërmjet nesh t’ia jap
Emrin.
Unë bredh në thënien e të paprekshmes,
takimet tona deltinore
nuk e lehtësojnë mundimin.
Je afërsi në gjunjë.
Sasi të vogla helmi
ndoshta do të shpjegonin
të pathënat.
A të ftoj në çmendurinë e përbashkët?
Ndiej një hapësirë
ku rriten drizat e egra.
Aty do t’i kultivonim derrat e egër
Dhe do të fshiheshim nga fjalët e kota.
Çmenduria jonë.
FSHEHTËSIA
Numrat janë përulësi e matematikës.
Matematika domosdoshmëri e të kuptuarit.
Të kuptuarit është bashkëpunim.
Bashkëpunimi është jeta me Fshehtësinë.
Shkronjat janë përulësi e fjalëve.
Fjalët janë pamundësi e mendimeve.
Mendimet janë negociata me Fshehtësinë.
Notat janë përulësi e muzikës.
Muzika është harmoni e tingujve.
Tingujt janë koncentrim i heshtjes.
Heshtja është dinjitet i Fshehtësisë.
Dita është përulësi e Diellit.
Dielli është afresk i besimit.
Besimi është durim i Fshehtësisë.
Përulësia është fillim i Fshehtësisë.
Fshehtësia është kulmi i përulësisë.
NE JEMI SIMBOL
Ai që dyshon në simbole,
Le të fillojë nga shkronjat.
U kthehem fjalëve sa më të vjetra
Duke u ballafaquar me domethëniet
E tyre kokëforta.
Kjo është mbledhje e mbetjeve të Tërësisë.
Ai që dyshon në simbole,
Le t’i pyesë fjalët.
Vetmohem me fjali të lashta
Duke i mbytur me kuptimin.
Është kjo klithje që qanë me dëshpërim për violinën.
Kujt t’ia puth mosdijen
Duke ia dhuruar shpresën e horizontit,
E të mos e vras?
Ortekët turren
Kur nuk e shprehim frikën
Dhe ecim çuditërisht,
Qeshemi jo zakonshëm,
Rrëzohemi, ngrihemi dhe ofshajmë.
Ne jemi simbol. Do t’jua them këtë.
Duke belbëzuar, a jo.
HESHTJA
Unë jam rezervuar i stërmadh i heshtjes.
Ajo është uri fjalësh.
Arti është kultivim i urisë.
Fjala e pathënë, e mbarsur me lutje,
Gjen rrugën e vet dhe si uji
Derdhet në plotësi.
Në fitimin e lirisë braktisja është nëna e të gjitha shkencave.
Heshtja është dominimi i parë.
Letrave të vjetra ua besoj jetën
Si në fjalët e rrudhura me zëra që dridhen.
Trim është ai që ka më së paku shkak për këtë,
E fitimtar është ai që veç e jeton Fitoren.
Vdekjet e heshtura lindin jetë.
Druri rritet, nuk flet gjë
Dhe kapërcen gardhet.
E MBËSHTJELLË ME PLUHUR
Në një kohë të caktuar futesha nëpër pluhur
dhe të mbroja me gramatikë.
Pakkush e shihte a kuptonte këtë,
por unë e shprehja veten
me interpunksion dhe numra romakë.
Duhet të të dëshmoja
nëpër muret në të cilët pakkush mbështetej
dhe prej të cilëve mbroheshin të padijshmit.
Të dashuroj me atë ngjyrën e kuqe me vija
ashtu siç vetëm mund të dashurohet.
KRISHTLINDJA
Në të njëjtën gjuhë
në të cilën porosisim pijet në restorant,
që i blejmë cigaret,
që vardisemi,
që shtiremi,
që mundohemi;
Në të njëjtën gjuhë
në të cilën bëhemi të mençur,
apo
jemi budalla,
ose nuk e dimë çka jemi
dhe kush jemi;
Në të njëjtën gjuhë
në të cilën vadisim drunjtë
dhe lëndojmë gjunjët që nga fëmijëria
dhe dobësojmë muskulin e zemrën në pleqëri
dhe humbim vullnetin për shkak të dhembjes në gjymtyrë;
Në të njëjtën gjuhë
në të cilën numërojmë
mbledhim
shkurtojmë
çojmë gjymtyrët
ulim rrudhat;
Në të njëjtën gjuhë
në të cilën i shqyejmë barqet
në të cilën ulemi, flemë, ecim
në të cilën ngrihemi nga varrezat;
Pikërisht në atë gjuhë
mu në të
ftojmë,
provokojmë,
marrim,
thërrasim
Zotin.
NJË DITË PAS TEJE
Nga mëngjesi shumohen gjurmët
mbetjet e tua të plumbta më kërcejnë nën lëkurë
Gjërat e palëvizshme lozin nëpër hapësirë
dhe mbretëron në dysheme pranë këpucëve.
Ti e qet kokën nga librat e trashë!
Mospërmendja jote
është ngritje e të dy duarve përpjetë
para syve flutur
prej të cilëve muret e fitojnë shpirtin.
Sonte thërrmohet rruga
nga duart tua që i kërkova për në qiell.
I le me qindra gjëra që të më mundojnë
si moshatarët shokun që nuk sheh.
A duhet gjithçka ta fitojë fjalën e vet?
Të shtie mbi mua me mendime të fshehta
dhe m’i zbulon si trekëmbëshin për varje
në të cilin hip në ditën me diell
Përktheu nga gjuha malazeze: Nikollë Berishaj
Shënime për autorin
Adrijan Vuksanović lindi më 21 në Kotor. Ka kryer Fakultetin Elektroteknik në Podgoricë. Ka punuar gazetar në Radio Dux. Në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi më 2016, zgjedhet deputet i Iniciativës Qytetare Kroate (kryetar i së cilës është) në Kuvendin e Malit të Zi. Është anëtar i Amëzës Kroate dhe Shoqërisë së Shkrimtarëve të Pavarur të Malit të Zi. Poezitë e tij janë botuar në revista letrare kroate dhe malaziase, si dhe në antologjinë Hrvatsko pjesničko biserje (Margaritarët poetikë kroatë).
(Marrë nga revista “Akademia”)