Pesë fshatra të Skenderajt bëhen me ujë të pijshëm nga ujësjellësi
Ka përfunduar projekti i ndërtimit të ujësjellësit në pesë fshatra të komunës së Skenderajt, konkretisht në Rakinicë, Turiqec, Rezallë e Re, Tushilë dhe Kopiliq i Poshtëm.
Në ceremoninë e përurimit të këtij projekti, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka uruar banorët e këtyre fshatrave që nga sot do të kenë qasje në ujë të pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit.
“Instalimi i ujësjellësit në këto pesë fshatra në prag të festës së Fitër Bajramit dhe në këtë kohë pandemie është lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e këtyre fshatrave që me vite janë ballafaquar me mungesë të ujit të pijshëm”, ka thënë Jashari.
Ai ka theksuar se përveç këtyre pesë fshatrave brenda dy muajve do të përfundojnë punimet edhe në shtatë fshatra të tjerë për të përfunduar kështu projektin në tërësi.
“Furnizimi i këtyre fshatrave me ujë të pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit është mundësuar falë përkrahjes së Qeverisë zvicerane, e cila ka financuar ndërtimin e gypit kryesor të ujësjellësit dhe Qeverisë së Kosovës e cila ka financuar kyçjet individuale me 350 mijë euro”, ka thënë Jashari.
Jashari ka thënë po ashtu se këtë vit ka filluar edhe projekti tjetër i ujësjellësit për 10 fshatra tjera në Skenderaj.
Për të pasur furnizim të rregullt me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët e Komunës së Skenderajt, sipas Jasharit, jetike mbetet që të ndërtohet rezervari i ri në Brus e po ashtu të fillojë së implementuari projekti i ndërtimit të pendës së Kuqices e cila do të sigurojë ujë të pijshëm edhe për komunat tjera.
Jashari në fund, duke uruar banorët e këtyre fshatrave, ka kërkuar nga ta që të kursejnë sa më shumë ujin dhe kështu të përdorin atë në mënyrë sa më racionale për të pasur furnizim më të mirë me ujë nga ky ujësjellës.