Pesë gara ndërkombëtare të basketbollit gjatë vitit 2024 në Kosovë
2024 vjen në Kosovë me eventet më të mëdha të basketbollit ndërkombëtar.
Më 08-09 qershor 2024, Prishtina do të jetë nikoqire e FIBA 3×3 Europe Cup Qualifier, një garë kjo e rëndësishme e disiplinës 3×3, ku 15 shtete në të dyja konkurrencat do t’i matin forcat për të siguruar një vend në FIBA 3×3 Europe Cup, pra fituesit e FIBA 3×3 Europe Cup Qualifier 2024 kualifikohen direkt në FIBA 3×3 Europe Cup të po njëjtit vit. Kosova në këtë garë do të paraqitet me të dyja konkurrencat.
Prej 25 deri më 30 qershor në Prishtinë, FBK-ja do të jetë për herë të parë organizatore e FIBA Kampionatit Evropian për Shtete të Vogla – Femrat, në të cilin Evropian do të marrin pjesë 8 shtete, ndërsa FBK ka filluar qysh tani të mobilizohet për të ndërtuar një skuadër, e cila do të ketë paraqitje dhe synime më të mëdha se sa në dy edicionet e para kur ka marr pjesë në këtë garë.
Më 18 dhe 19 korrik, klubi 3×3 Prishtina në bashkëpunim me FBK-në, Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport dhe Komunën e Prishtinës do të jetë nikoqire e FIBA 3×3 Women’s Series, kurse prej 20 deri më 21 korrik do të organizohet një tjetër event prestigjioz si FIBA 3×3 Challenger Prishtina. Kjo është hera e dytë radhazi që këto gara i besohen klubit 3×3 Prishtina nga FIBA, falë mbështetjes së madhe nga FBK. Edhe në këto gara, Kosova do të paraqitet me të dyja konkurrencat, ku qëllimi është që të rritet niveli i lojës për dallim nga ai i vitit 2023.
Ngjarja e fundit që do ta organizoj FBK-ja në verën e vitit 2024 është FIBA U18 Kampionati Evropian, Divizioni C për Femra prej 23 deri më 28 korrik, në të cilën garë do të marrin pjesë 8 shtete, kurse Kosova synon të ketë paraqitje dhe rezultate dukshëm më të mira se sa në verën e këtij viti.
Duhet theksuar se FBK-ja prej vitit 2018 rregullisht është organizatore e garave të FIBA-s për FIBA Kampionatet Evropiane të Gjeneratave të Reja, derisa së fundi ka nisur t’i besohet edhe organizimi i aktiviteteve të 3×3, falë interesimit të madh të Federatës për të zhvilluar këtë disiplinë në vendin tonë.
Deklarata e plotë e kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu:
Federata e Basketbollit e Kosovës është e nderuar dhe e emocionuar të presë jo vetëm një, por pesë ngjarje ndërkombëtare të basketbollit në vitin e ardhshëm. Kjo arritje është një dëshmi e punës së palodhshme, përkushtimit dhe pasionit të të gjithë komunitetit të basketbollit në vendin tonë.
Vendimi për t’i besuar Kosovës organizimin e këtyre garave prestigjioze është një reflektim i përkushtimit tonë për përsosmëri dhe hapave të jashtëzakonshëm që kemi bërë në këtë sport. I shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë FIBA-s për njohjen e potencialit të Kosovës dhe ofrimin e mundësisë për të shfaqur aftësitë tona në skenën globale.
Më lejoni të theksoj se të gjitha këto organizime nuk do të mund të organizoheshin pa përkrahjen nga partneri kryesor zhvillimor i Federatës së Basketbollit të Kosovës – Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, e cila e ka kuptuar rëndësinë e madhe që këto organizime kanë për afirmimin global të Kosovës dhe për imazhin e vendit tonë, si dhe për ngritjen e kapaciteteve organizative të Federatës së Basketbollit të Kosovës për organizime edhe më prestigjioze viteve në vijim, si dhe nga partnerët tjerë institucionalë si Komuna e Prishtinës, e cila është zotuar për përkrahjen afatgjatë të sportit të basketbollit në të gjitha disiplinat, me theks të veçantë në mbështetjen e aktiviteteve të 3×3 në kryeqytet.
E rëndësisë së veçantë është privilegji ynë për të organizuar tri ngjarje të FIBA-s kushtuar ekskluzivisht basketbollit për femra. Kjo njohje e rëndësisë së sportit të femrave përputhet në mënyrë të përkryer me vlerat tona të gjithëpërfshirjes dhe barazisë. Ne besojmë në ofrimin e mundësive të barabarta për të dyja gjinitë për të shfaqur aftësitë dhe pasionin e tyre për lojën e basketbollit. Këto ngjarje jo vetëm që do të festojnë talentin e jashtëzakonshëm të basketbollisteve, por gjithashtu do të frymëzojnë një brez të ri të vajzave të reja për të ndjekur ëndrrat e tyre në botën e basketbollit.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për qeverinë, sponsorët dhe të gjitha grupet tona të interesit për mbështetjen e palëkundur. Pa bashkëpunimin e tyre, kjo përpjekje nuk do të ishte e mundur. Së bashku, ne do të punojmë pa u lodhur për të siguruar suksesin e këtyre ngjarjeve dhe për të krijuar kujtime shumë të mira për të gjithë pjesëmarrësit.