Pesë gazetarë afganë do të vijnë në Kosovë, qeveria ndan 30 mijë euro
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka ndarë 30 mijë euro për pranimin e pesë gazetarëve nga Afganistani.
Përzgjedhja e tyre do të mbahet në bashkëpunim të Kosovës me Federatën Evropiane të Gazetarëve.
Zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti, teksa ka kërkuar ndarjen e këtyre mjeteve, ka thënë se ky vendim kontribuon në bashkëpunimin e ngushtë me Bashkimin Evropian në ruajtje të paqes dhe sigurisë.
“Në kuadër të bashkëpunimit të Kosovës me Federatën Evropiane të Gazetarëve dhe në përputhje me qëndrimin e Kosovës për solidarizim me të drejtën e gazetarëve të Afganistanit dhe pasqyrim sa më gjithëpërfshirës MPJD-ja paraqet propozimin-vendimin për aprovim të pranimit të 5 gazetarëve dhe ndarjen buxhetore në vlerë prej 30 mijë eurosh në emër të pranimit të tyre në Republikën e Kosovës”.
“Kjo shumë mbulon shpenzimet për periudhën e mbetur të vitit 2022 dhe përzgjedhja e tyre do të bëhet nga Federata Evropiane të Gazetarëve. Marrja e një vendimi të tillë do të kontribuonte në bashkëpunim të ngushtë me BE-në në ruajtje të paqes dhe sigurisë”, ka thënë Ahmeti.