Pesë persona në Pejë akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim
Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve D. Sh., G. L., R. Zh. dhe G. Sh., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe kundër të pandehurit I. K. për veprën penale “Mashtrim”.
I pandehuri D. Sh. akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar në Komunë të Pejës me dashje ka tejkaluar kompetencat e veta, pa qenë i autorizuar, duke nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit, me çka i ka shkaktuar dëm buxhetit komunal të Pejës në vlerë prej 9 929 eurosh. Të pandehurit G. L., R. Zh. dhe G. Sh., si persona zyrtarë në Komunë të Pejës, përkatësisht anëtarë të komisionit për pranimin e mallit, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, duke i shkaktuar dëm buxhetit komunal në vlerën e shumës së lartcekur.
Kurse i pandehuri I. K., në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik, si fitues i tenderit për “Blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik të Pejës”, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, i ka shkaktuar dëme buxhetit komunal të Pejës në vlerë prej 9 929 eurosh. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si më lart.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.