Pesë persona plagosen afër bazës ushtarake të SHBA-së në Afganistan
Një sulm vetëvrasës me makinë bombë afër bazës më të madhe ushtarake amerikane në Afganistan, ka plagosur të paktën pesë persona dhe ka dëmtuar një spital që ka qenë duke u ndërtuar afër bazës ajrore, Bagram, kanë thënë zyrtarët afganë.
Sulmi, për të cilin ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë vjen teksa Shtetet e Bashkuara kanë rifilluar bisedimet me talibanët për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare, tre muaj pasi presidenti amerikan, Donald Trump pati pezulluar ato.
Misioni mbështetës i NATO-s në këtë vend ka thënë se si pasojë e sulmit nuk ka viktima dhe se zona është duke u ruajtur pas incidentit.
“Forcat armike kanë kryer sulmin në zonën ajrore Bagram këtë mëngjes, duke shënjestruar një ndërtesë mjekësore, e cila po ndërtohej për t’iu ndihmuar afganëve që jetojnë afër bazës”, është thënë në deklaratën e NATO-s.