Pesë poezi nga Fitim Nuhiu
ASGJË S’MË BËN PËRSHTYPJE
Përshtypje do të më bënte kur
Bamirësitë të mos ekspozoheshin;
Përshtypje do të më bënte kur
Politikanët të interesoheshin për popullin e vet;
Përshtypje do të më bënte kur
Artistët nuk flasin për veprat e tyre;
Përshtypje do të më bënte kur
Njerëzit qëndrojnë dhe bisedojnë
Edhe me ata që nuk pajtohen në mendime;
Përshtypje do të më bënte kur
Gazetarët ta mbrojnë interesin e popullit
E jo atë të politikanëve, kupto interesin e vet;
Përshtypje do të më bënte kur
Femrat të interesohen edhe për të drejtat e meshkujve;
Përshtypje do të më bënte kur
Gruaja të respekton burrin dhe familjen e tij siç duhet
Dhe anasjelltas;
Përshtypje do të më bënte kur
Njerëzit të flasin me njëri-tjetrin,
Me dashuri të sinqertë!
VDEKJA ËSHTË FEMËR
Vdekja nuk vjen kur dëshironi ju
Por, kur dëshiron AJO,
Sepse ajo është femër,
Ka tekat e saj,
Ka përvojën e saj,
Ka zgjuarsinë e saj.
Vetëm ajo ka fuqinë të nënshtrojë,
Të rrëzojë
Dhe të merr me vete
Ku t’i dojë qejfi ASAJ.
MË FALNI!
Kërkoj faljen tuaj, familja ime!
Gruaja ime dhe djemtë e mi!
Që nuk isha me ju në kohën e duhur.
Kërkoj faljen tuaj që nuk isha pranë jush,
T’ju ledhatoja,
T’ju puthja,
E t’ju doja siç do të duhej.
Kërkoj faljen tuaj që nuk isha me ju
Në gëzimet dhe hallet e juaja!
Unë kërkoj faljen tuaj,
Po edhe sikur të më falnit,
A do ta meritoja një falje të tillë?
PSE TË VDESIM?
Ç’janë gjitha këto vdekje rreth nesh?
Për ku po drejtohen këta vdekatarë?
Pse po na vdesin njerëzit tanë, të dashurit tanë?
Ç’është ky rreng?
Ç’është kjo hile?
Pse të lindim… që të vdesim…?
Pse nuk qëndrojmë në boshllëkun e pafundësisë së palindur?
Pse të dimë vetëm të sotmen
E të mos dimë për udhëtimin tonë nga e panjohura që dikur ishim
Drejt së panjohurës që po na pret?
Dua të jem i mirinformuar se ku po shkoj.
Kam të drejtën time absolute.
S’dua të jetoj me idenë që një ditë më duhet edhe të vdes
S’dua!
Protestoj!
KUR TË VDES
Kur të vdes,
Mos më qani kot
S’kam asnjë ndjeshmëri më për ju.
Më qani sa jam i gjallë,
Më doni sa të jem gjallë,
Sepse kur të vdes
Do të kaloj në një dimension tjetër
Ku s’ka asnjë lidhje frekuence me këtë botë,
Që jemi mësuar ta jetojmë.