Pesë poezi nga libri i fundit i Drita Ademit

25 tetor 2023 | 09:11

DRITA ADEMI

Këpucët e mia

 

Kur nuk do t’jem ma këtu

Ku do të shkojnë këpucët e mia?

Këpucët e feminisë si qumështi i nanës

Këpucët e pubertetit pa lidhse t’nxehta dhe gjysëm t’egra

Këpucët e rinisë me lule si lulet n’memorie

Këpucët e ditës së bardhë t’martesës

Të lidhuna me zemër dhe unazë

Këpucët e shkollës t’plota t’ngushta t’zivilizueme

Këpucët e fëmijës tem

Të rritur n’mua

Këpucët e moshës së tretë

Gjysëm dashuni gjysëm merzi

Këpucët, ah këpucët e mia

Sillen n’mue

Asnjëherë nuk i le para dere

Gjithmonë i marr me vete

Një ditë do t’fluturojnë

Nga trupi jem me magji

Dikush do t’ju thurë lavde

Në ndonji poezi…

 

Kam me t’dashtë

 

Unë kam me t’dashtê n’sy t’yjeve

Botën ke me e harru

Luftat

Robninë

Injorancën

 

Krejt dashni kam me t’i ba

ata sy që m’kqyrin mue

N’lule t’ballit

Dëshirat me t’i zbulue

 

I jemi je

N’daç si dashuni

N’daç si mallkim.

 

Të kam pa andërr

 

Të kam pa andërr

tue u mërzitë për mue,

tue më dashtë mue,

tue qeshë me mue

dashunisht.

 

Të kam pa andërr tue heshtë,

ulun në bankën e nji vjeshte tjetër

e malet me thinja

e drita mbushte sytë e tu

me ar.

 

Të kam pa andërr tue të harrue,

si vdisnin në mue ngadalë

ata sy me ar

e thaheshin ata lisa e shterrej ai lumë

e qanin zanat për atë burrë

që n’kambë s’do të çohej

mbrenda meje kurrë.

 

Falne atë grue

 

Ka nand muej shtatzanë

E dhimbje nuk ka

Diku asht vonue diçka

Mes tokës e dillit

Diçka asht vonue

Mes dimnit e verës

 

Falne atë grue

 

Me ylbere n’mes

Dyfish ndjenjat,

Dyfish zemra

Nuk e di kend e dashunon

Zjarr trupi i saj

 

Falne atë grue

Mos e ktheni n’grue t’vdekun.

 

Nuk kam ça baj

 

Qysh n’moshë t’re e kam pa botën ftohtë.

Veç qielli m’bante t’lumtun

Ylli i parë i mëngjesit

Kur nana gatuente bukën

E gjyshja lutej me hov e bindje.

 

Unë herët u ngatërrova me librat.

A ka ken fat a fatkeqësi

Ende nuk e di.

E pabindun jam ken.

As para plumbit nuk e kam humbun qetësinë,

As para luleve,

As para zogjve,

Veç para dashunisë.

 

Nëse botës i kam mbetun borxh

Asht klithma jeme, vaji jem.

Poezia tash m’vjen e qetë

Nuk kam ça me ba.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtëpia e njohur botuese “Armagedoni” ka botuar së fundmi librin…