Pesë poezi nga Shkëlzen Halimi
BETEJA
E dashur
nëse vonohem
ti mos u mërzit
Në kujtime
t’i kam lënë përqafimet
që do të të ngrohin
derisa të kthehem
nga betejat me jetën…
STACIONI I NDARJEVE
Nëse nuk kthehem
atëherë merre pritjen
bashkë me valixhen e plagëve
dhe nisu me trenin vijues të jetës
Ndoshta takohemi
në ndonjë ndalesë pushimi
Më prit me kujtimin e fundit
që u bë portret stacioni
dhe ku etja e ndarjes
shuhet me lot dhimbje…
NDARJA
Në një mëngjes të zymtë
të stinës pa emër
në Taksim të Stambollit
u shkreha në vaj
nga shakaja e fatit që lundronte
grykës së Bosforit
Jashtë shiu mbulonte gjurmët
e dhembjes që kishte marrë rrugën
të më takonte sërish
në atë stinë të zymtë
kur duhej t’i dorëzohesha
ndarjes
dhe ikjes…
DALJA NGA PIKËLLIMI
Kur shpirtin e çlirova
nga plagët e luftës
nga dhimbjet
brenda trupit të lodhur
u plandosa në kopshtin
e shpresave të humbura
Pastaj me një zë të ngjirur
kam klithur:
e dashur
do t’ia vjedh vdekjes
jetën tënde…
ESHTRAT
Ende i kërkon eshtrat
për ta bërë skeletin e fëmijës
sa për ta lëshuar
në varrin e hapur
Do ta mbulojë
me një lutje
për Kosovën…