PESË SHEMBUJ NGA QËNDRESA E DRENICËS NË LUFTËN E KOMANDANTIT SHABAN POLLUZHA

08 shkurt 2020 | 17:38

Shkruan: Ismai Syla-

Më 8 shkurt 1945 nga establishmenti i lartë politik dhe ushtarak jugosllav në Kosovë shpallet gjendja e jashtëzakonshme – administrimi ushtarak – një dokument që krijoi bazën juridike për të vrarë, prerë, likuiduar dhe shkatërruar gjithçka në Kosovë, për të mënjanuar fizikisht çdo patriot që kundërshton Jugosllavinë komuniste në ardhje, që me antishqiptarizëm nuk dallonte nga Jugosllavia e mëparme monarkike. Në fakt, në thelb të çdo gjëje kundër Kosovës ishin përfaqësuesit politikë dhe ushtarakë serbë të Beogradit zyrtar.

Duke lexuar shifra dhe fakte të periudhës dhjetor 1944 deri më 21 shkurt 1945 për vrasje, p. sh. vetëm në rajonin e Drenicës, njeriu tmerrohet edhe sot.

Që lexuesi të mos ngarkohet në një postim Facebook – u me historinë e krimeve, këtu do të veçoj disa momente për mua interesante, në kohën kur rezistoi komandanti Shaban Polluzha me bashkëluftëtarët e tij në Drenicë, bazuar në rrëfimet që i mbledh autori Azem Hajdini.

1.
Zhbllokimi i armëve.

Në vijën e frontit Gllavicë – Shtuticë – Dashefc, Kralicë dhe Prellofc intensiteti i luftës nga të dy anët e frontit ishte shumë i madh, përderisa, nga acari i madh që mbretëronte ato ditë filluan të ngrihen tytat dhe mekanizmat tjerë të armëve. Për t’i pasë ato gjithnjë në gjendje gatishmërie, gratë dhe vajzat ndezën zjarre në vende të caktuara dhe përgatitnin ujë të valë për t’i zhbllokuar ato.

2. Ilaçet popullore për të plagosurit.

Për gjendjen shëndetësore të të plagosurve kujdesej përveç tjerësh, edhe Osman Hajdini, bashkë me Dinoren, nënën e tij, jo vetëm pse ishte zot i konakut, por edhe për shkak se ishte njohës i mirë i përpunimit dhe përgatitjes së disa llojeve të barërave për shërimin e plagëve, të cilat shërbenin si “mehleme” të marra nga druri i shtogut, yndyra e lepurit, tëlyeni i buallicës, kokrra e fasules etj.

3. Fëmijët me qerre – saja, bartin kufoma.

Pasi që forcat e armikut kishin ripushtuar Dashefcin, Shtuticën dhe një pjesë të Polacit, komanda e atyre njësiteve ( kupto – serbe) organizoi aksionin për hulumtimin, grumbullimin dhe bartjen e kufomave të ushtarëve të vrarë, të cilët tashmë i kishte mbuluar bora e madhe që binte ato ditë dimri pa pushim. Në këtë aksion, përveç ushtrisë, me dhunë ishin mobilizuar edhe fshatarët, bile edhe fëmijët shqiptarë.

4. Toponimi “i ri”.

Pas luftës, rezistencës dhe shuarjes së kryengritjes së bashkëluftëtarëve të Shaban Polluzhës, administrata komunale bëri një emërtim interesant në terrenin kadastral të fshatit Dashefc. Mikrotoponiminë e fshatit e regjistroi me një emërtim tjetër, sllav… Kështu, p.sh. toponimet Lugu i Dhelpnave, Lugu i Lajthive, Lugu i Hasan Lekës etj. në librat e kadastrit më vonë kanë marrë emërtim të ri “Krvave Poljane” që në shqip do të thotë “Fushat e Përgjakura”.

5. Hapja e frengjive të reja dhe varrosja te dera e oborrit.

Gruaja me emrin Ajmane kujton: “Në shtëpinë tonë u çelën shumë frengji…”, si adaptim ad hoc i kullës për të rezistuar nga brenda. Po kjo grua i ndihmon në mirëmbajtje të armëve luftëtarit Asllan Kolla, i cili lufton perballë forcave serbe me mitraloz nga një frengji e re brenda kullës, por vritet. “E ktheva mbarë dhe e mbulova me një çarçaf të bardhë. E varrosëm te dera e oborrit dhe aty qëndruan eshtrat e tij plot 20 vjet” përfundoi rrëfimin e saj Ajmania- sipas shënimeve të Azem Hajdinit.

6. Etj., etj…

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ngushëlluar familjen e Nexhmije…