Pesë të vdekur në “sulmin terrorist” në kompaninë turke të mbrojtjes në Ankara
Ali Yerlikaya, ministër i Brendshëm i Turqisë, ka njoftuar se “dy terroristë” janë neutralizuar në “sulmin terrorist” në ambientet e kompanisë turke të hapësirës ajrore dhe mbrojtjes TUSASH.
Përmes një postimi të fundit në platformën X, ai tha se nga punonjësit e kompanisë kanë mbetur të vdekur tre persona dhe 14 të lënduar.
“Dy terroristë u neutralizuan në sulmin terrorist që synonte objektet e Industrisë Ajrore Turke (TUSASH) në Kahramankazan të Ankarasë”.
“Fatkeqësisht në sulm kemi 3 dëshmorë dhe 14 të plagosur”, deklaroi ministri Yerlikaya.
Ai e dënoi “sulmin e tmerrshëm”, teksa tha se lufta e Turqisë “do të vazhdojë me vendosmëri deri në neutralizimin e terroristit të fundit”.
Ai nuk dha detaje të tjera rreth sulmit në periferi të kryeqytetit Ankara.
Nuk ishte menjëherë e qartë se kush mund të qëndronte pas sulmit. PKK, ISIL dhe ekstremistët e majtë kanë kryer sulme në vend në të kaluarën.
Imazhet e para të shfaqura nga kanali televiziv privat NTV treguan një re të madhe tymi përpara hyrjes së vendit rreth 40 kilometra jashtë kryeqytetit, duke thënë se shpërthimi ndodhi rreth orës 16:00.
TAI është një lojtar kyç në industrinë e hapësirës ajrore të Turqisë , duke projektuar, zhvilluar dhe prodhuar platforma të ndryshme ajrore.
Kompania prodhon gjithashtu pjesë për projekte ndërkombëtare, duke përfshirë komponentë për avionin e pasagjerëve Airbus A380 dhe aeroplanin e transportit ushtarak A400M.