
Pesë të vdekur nga rrëzimi i helikopterit në Ukrainë
30 maj 2019
| 11:35
Një helikopter ushtarak “Mi-8” është rrëzuar gjatë stërvitjeve në perëndim të Ukrainës, duke shkaktuar vdekjen e katër anëtarëve të ekuipazhit dhe të komandantit të tyre.
Lajmi është konfirmuar të enjten nga zyra për medie e Forcave Tokësore të Ukrainës.
Sipas saj, Forcat Tokësore e kanë humbur kontaktin me helikopterin të mërkurën mbrëma, në orën 23:27, sipas kohës lokale.
Agjencitë e zbatimit të ligjit ndodhen në vendin e ngjarjes në rajonin Rivne.
Duke reaguar ndaj lajmit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë përmes një postimi në “Twitter” se “nuk është një mëngjes i mirë”.
Ai e ka urdhëruar shefin e ushtrisë së Ukrainës, gjeneralin Ruslan Khomchak, “të hetojë rrethanat e tragjedisë”.