Pesë të vrarë nga sulmet ruse në Donjeck
Pesë njerëz janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve të ushtrisë ruse në rajonin Donjeck në lindje të Ukrainës të shtunën, njoftuan autoritetet rajonale.
Tre burra të moshës mes 24 dhe 69-vjeçare u vranë në qytezën Kostiantinivka, tha guvernatori Donjeckut, Vadym Filashkin, në Telegram. Katër persona të tjerë u plagosën, shtoi ai.
Dy burra të moshës rreth 50-vjeçare u vranë nga sulmet në qytezën Toretsk, rreth 20 kilometra në juglindje të Kostiantinivkas.
Transmetuesi publik i citoi zëdhënësen e zyrës së prokurorit në Donjeck, Anastasia Medvedeva, duke thënë se një grua u plagos në Kostiantinivka.
Rusia kreu sulme edhe në qytetin e Harkivit mbrëmjen e së shtunës, tha zyra e prokurorit rajonal. Prona e një biznesi privat dhe nëntë vetura u dëmtuan, ndërsa u plagos një roje e sigurisë.
Një ndërtesë banimi u përfshirë nga zjarri dhe 10 shtëpi private u dëmtuan në fshatin Mala Danilivka në rajonin e Harkivit. Katër persona u plagosën, tri gra dhe një burrë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, më 6 shtator u bëri thirrje partnerëve aleatë në një takim të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në Gjermani ta lejojnë Ukrainën t’i përdorë armët e tyre për të goditur më thellë brenda tokës ruse.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha pas takimit se asnjë armë e vetme ushtarake nuk është vendimtare për Ukrainën për t’u mbrojtur nga pushtimi i plotë rus, dhe se përdorimi i armëve amerikane për sulme thellë brenda në Rusi nuk do ta kthente luftën në dobi të Ukrainës.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL/