Pesë vitet e mia me UNDP-në në Kosovë
Alessandra Roccasalvo, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë
Në këto ditë të fundit të shërbimit tim pesëvjeçar në zyrën e UNDP-së në Kosovë, shpesh më pyesin, “a është Kosova një vend më i mirë se sa kur filluat?” Përgjigja ime është po. Gjatë pesë viteve të fundit ka pasur përmirësime në institucionet lokale dhe qendrore, ofrimin e shërbimeve, zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës.
Jam veçanërisht krenare me sukseset që kemi arritur me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale përmes masave dhe programeve tona të Tregut Aktiv të Punës. Gjatë pesë viteve të fundit kemi ndihmuar mijëra njerëz përmes trajnimeve në punë, subvencionimit të pagave, granteve të vetëpunësimit dhe skemave të praktikës. Së bashku jemi përpjekur që gratë të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në këto masa dhe programe, sepse sigurimi i pavarësisë ekonomike dhe aftësia për të fituar kafshatën e gojës për familjen tënde bën një ndryshim të madh në jetën e secilit.
Me partnerët tanë në nivel lokal dhe qendror kemi përmirësuar qasjen në drejtësi – veçanërisht për komunitetet e cenuara – përmes rritjes së ndërgjegjësimit për të drejtat e njerëzve, zyrave mobile për ndihmë juridike, ndihmës juridike falas dhe fuqizimit të të rinjve për t’u bërë faktor ndryshimi. Kemi mbështetur sektorin e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit, hartimin e ligjeve të rëndësishme kundër korrupsionit, krijimin e online bazave të të dhënave për regjistrimin e pasurisë dhe trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas standardeve më të larta.
Përmes projektit të Sigurisë kemi përkrahur Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës që qytetarët të ndjehen më të sigurt. Themelimi i Pikës së Referimit për Armët e Zjarrit është i pari në rajon dhe kopjohet gjerësisht nga fqinjët e Kosovës. Veçanërisht, tani vonë, fushata e legalizimit ka qenë një sukses në regjistrimin e armëve që më parë ishin të paligjshme, duke siguruar në këtë mënyrë që këto armë të regjistrohen.
Duhet theksuar veçanërisht puna që kemi bërë përmes aktiviteteve tona në fushën e trashëgimisë kulturore. Shumë vendndodhje fetare dhe kulturore në Kosovë janë rregulluar, rehabilituar dhe rinovuar. Ne kemi përkrahur iniciativa fantastike si ruajtja e punimit të filigranit dhe, tani kohëve të fundit, ringjallja e instrumentit antik, okarinës. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve krijohet besimi ndërmjet komuniteteve, rritet toleranca, mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjellë.
Është përmirësuar reagimi ndaj rrezikut nga fatkeqësitë si në nivel komunal ashtu edhe në familje nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit, trajnimeve dhe stërvitjeve. Përveç kësaj ne kemi mundësuar sigurinë fizike të fshatrave anë-e-kënd Kosovës, duke siguruar që përmbytjet dhe shirat e mëdha të mos rrezikojnë shtëpitë e njerëzve.
Ajo që na inkurajon shumë është se kohëve të fundit kemi parë një përqendrim të shtuar në mjedis dhe si mund ta mbrojmë atë. Në vitin e kaluar kemi lansuar procesin e co-design, duke përdorur njohuritë dhe entuziazmin e studentëve dhe duke i lejuar ata të krijojnë zgjidhje inovative për disa nga problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë, së bashku me organizatat tjera të OKB-së, si dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ka pasur përparim të jashtëzakonshëm në Kosovë në shumë nivele, gjë që do të ishte e pamundur pa partnerët tanë. Pra, sot kur pesë vitet e mia janë duke përfunduar, kujtoj me dashamirësi të gjithë ata njerëz që më kanë mirëpritur, ushqimin fantastik dhe dëshirën dhe vendosmërinë e njerëzve për ta bërë Kosovën një vend më të mirë për të gjithë.