Pesë vjet nga vdekja e Demaçit, Krasniqi: Adem Demaçi u përket epokave
Sot bëhen pesë vjet që kur ndërroi jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i njohur si Mandela i Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se pesë vite më parë Kosova ka humbur një nga personalitetet më të veçanta dhe më të guximshme të popullit tonë, duke thënë se Demaçi u largua vetëm fizikisht, sepse, tashmë Adem Demaçi u përket epokave.
“Nëpërmjet karakterit dhe vullnetit të palëkundur për të sakrifikuar lirinë e tij për lirinë e të tjerëve, Baca Adem e transformoi Kosovën, duke nxitur shpirtin liridashës në çdo familje, në çdo individ. Personalisht, edhe unë jam një nga miliona qytetarë shqiptarë të cilët janë frymëzuar nga jeta e Adem Demaçit. Meqë nuk do të kemi një personalitet të dytë si ai, na takon neve të përcjellim sa më mirë shembullin që ai dha: Të marrim vendime për të udhëhequr jo nga urrejtja, por, nga dashuria dhe të përpiqemi për një të ardhme që është e denjë për sakrificën e tij”, ka deklaruar Krasniqi.
Prandaj, sot, Krasniqi thotë se në vend të përkujtimit, le të jemi falënderues që Adem Demaçi ishte pjesë e kombit tonë dhe jetoi për ne e mes nesh.
“Një njeri që mori historinë në duart e tij dhe përkuli harkun moral të universit drejt drejtësisë. Zoti e bekoftë kujtimin për ty, Bac! Përjetësisht në zemrat dhe mendjet tona!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.