Pesë vjet president i Ukrainës, Zelensky, komediani që u bë “gjeneral” lufte
Pesë vite më parë, kur Volodymyr Zelensky vendosi të linte karrierën e tij si komedian për t’u bërë president i Ukrainës, nuk e dinte se shumë shpejt do të merrte dhe detyrën e gjeneralit të luftës.
Në vitin 2019, Zelenskiy, një komedian pa përvojë politike, konkurroi kundër presidentit të atëhershëm Petro Poroshenko dhe fitoi raundin e dytë të zgjedhjeve me 73 për qind të votave.
Ai erdhi në politikë si një rishtar politik, i cili ka pasur një humor anti-establishment mes ukrainasve, të cilët më pas vendosën se ishin ngopur me politikanët ekzistues. Më 20 maj 2019, Zelenskiy u betua në parlamentin e vendit.
Zgjedhjet e ardhshme do të mbaheshin në mars të këtij viti, por votimi është shtyrë për një kohë të pacaktuar për shkak të luftës. Ajo që mbetet e pasigurtë ende është perspektiva për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë pas dy vitesh luftë.
Që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të gjerë më 24 shkurt 2022, Zelenskiy është bërë një figurë e njohur në skenën ndërkombëtare, duke bërë thirrje për mbështetje dhe më shumë armë për të mbrojtur vendin e tij në luftë.
Duke refuzuar të largohej nga Kievi në shpërthimin e luftës, Zelenskiy fitoi mjaft popullaritet e mbështetje dhe mes ukrainasve. Ndërsa lufta filloi në vitin e tretë, mbështetja për presidencën ka rënë, por sipas Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë në Kiev, miratimi i tij si president është stabilizuar në 60-65%.
Anton Hrushetskyi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit tha se situata në fushën e betejës dhe lufta kundër korrupsionit janë dy faktorët kryesorë që kanë ndikuar në opinionin publik.
Sipas Hrushetskyi, shumica e ukrainasve – nga 70 në 80 përqind – ishin të mendimit se ishte e drejtë të mos mbaheshin zgjedhje gjatë kohës së luftës dhe Zelenskiy mbeti një kryetar legjitim i shtetit.
Vetë Reuters në një anketim të tij thotë se nëse do të kishte zgjedhje ukrainasit do të votonin për Zelensky, duke shtuar se besonin se ai do ta çonte me sukses luftën deri në fund.
Volodymyr Krivetskyi, i cili votoi për rivalin e Zelenskiy, Petro Poroshenko në vitin 2019, tani po shet dhurata me temën e presidentit të Ukrainës. Ai thotë se “këto nuk janë thjesht suvenire, por ato kanë kuptim”. Ai thotë se gjatë pushtimit presidenti nuk u largua dhe qëndroi në Kiev duke e quajtur një plus të madh për të. “Ai mund të kishte shpëtuar, por qëndroi dhe nuk e braktisi kurrë Ukrainën. Bota e respekton”, thotë ai.