PESËDHJETË E TREVJETORI I UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS “HASAN PRISHTINA”

15 shkurt 2023 | 19:48

Rexhep QOSJA 

Kushtet në të cilat u krijua

Student i brezit të parë të studentëve të Universitetit të Prishtinës; i doktoruar në brezin e parë të të doktoruarve në Universitetin e Prishtinës; pedagog i estetikës gjatë sa e sa viteve në Universitetin e Prishtinës; mentor i shumë kandidatëve të paraqitur për të bërë dhe mbrojtur doktoraturën në Universitetin e Prishtinës; ndjeva nevojë shpirtërore dhe obligim arsimor, shoqëror, profesional e kombëtar që me rastin e pesëdhjetë e trevjetorit të Universitetit të Prishtinës të them disa fjalë për të, për kushtet në të cilat u krijua ai, për misionin e tij arsimor e kombëtar dhe për të sotmen e tij.

Universiteti i Prishtinës tani e disa vjet i quajtur Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ishte dhe vazhdon të jetë institucion arsimor me rëndësi të madhe për jetën e shqiptarëve jo vetëm të Kosovës dhe me rëndësi të veçantë për Kosovën.

Në saje të veprimtarisë së tij pamatshëm të nevojshme, të dëshiruar e të dëshmuar arsimore, kulturore, shkencore, shoqërore e kombëtare u bënë ndryshime shumë të frytshme në jetën e shqiptarëve dhe shumë larghedhëse në historinë e Kosovës.

Pse mund të thuhet kështu?

Deri në vitin 1968 kur filluan përpjekjet e organizuara për themelimin e Universitetit të Prishtinës numri i shqiptarëve me fakultete të kryera ishte dëshpërueshëm i vogël: rreth 420.

Shkaqe të kësaj prapangelje në shkollimin universitar të shqiptarëve ishin padrejtësitë e shumta që iu bëheshin atyre duke filluar prej statusit të shpërfillur politik e shoqëror të Kosovës e deri te shkeljet e të drejtave të njeriut, të lirisë së mendimit, të të drejtave sociale. E të tjera.

Në Plenumin e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, i quajtur Plenumi i Brioneve, që u mbajt në korrik të vitit 1966, u shqyrtua dhe u dënua politika e Sigurimit të Brendshëm Shtetëror, UDB-së, e realizuar përmes përgjimesh, përndjekjesh dhe dhunës. Si u tha në Plenum, këto përndjekje, përgjime e dhunë në vazhdimësi dhe në trajtat më të vrazhda ishin zbatuar ndaj shqiptarëve kudo jetonin në Jugosllavi e sidomos në Kosovë.

Mes viteve pesëdhjetë e gjashtëdhjetë, Sigurimi i Brendshëm Shtetëror (UDB-ja) kishte planifikuar dhe kishte filluar ta realizonte shpërnguljen e dhunshme të sa më shumë shqiptarëve të Kosovës. Dhe, një numër i tyre i madh ishte shpërngulur në Turqi, në Siri e në Egjipt.

Për degjenerimin e tillë politik e shfrytëzimin nacionalist e shovinist të Sigurimit të Brendshëm Shtetëror, UDB-së, sidomos në Kosovë, ishte fajësuar Shefi i tij, famëkeqi Aleksandar Rankoviq, me bashkëpunëtorët e tij, dikur edhe nënkryetar i Jugosllavisë, dhe ishte shkarkuar nga posti dhe dënuar politikisht.

Nën ndikimin e të dhënave që ishin dëgjuar në atë Plenum, shqiptarëve u ishte krijuar bindja se përjetimet e tyre politike dhe fati i tyre nuk do të mund të heshtën më në Jugosllavi e askund tjetër. Si fryt i kësaj bindjeje ata shpejt do t’i shtojnë përpjekjet për përmirësimin e gjendjes në të gjitha fushat e jetës e sidomos në arsim, në shëndetësi, në administratën publike e në punësime.

Dhe, kjo gjendje i kishte shtuar shumë dëshirat e tyre të shfaqura edhe më parë, por edhe përpjekjet për realizimin e tyre – për krijimin e Universiteti të Prishtinës.

E kuptueshme.
Misioni i tij arsimor kombëtar

Universiteti i Prishtinës u paramendua si universitet me Mision.

Ai me frytet e veprimtarisë së tij do ta përmirësojë jetën e qytetarëve të Kosovës në shumë pikëpamje dhe në shumë fusha të jetës.

Ai do të bëhet shpejt Universitet i madh dhe i çmuar.

Për pak vjet ai do të bëhet njëri prej universiteteve më të mëdha në ish Jugosllavinë.

Ai do të bëhet i madh e i çmuar me numrin e madh të të rinjve të regjistruar.

Ai do të bëhet i madh e i çmuar me numrin e madh të të rejave të regjistruara, numri i të cilave në atë kohë ishte i vogël në shkollat e mesme e të larta.

Universiteti i Prishtinës do të jetë i madh e i çmuar edhe në sajë të regjistrimit të të rinjve me prejardhje shqiptare nga Maqedonia, nga Mali i Zi, nga Lugina e Preshevës e diaspora të cilëve ju bëhet e mundshme edhe të magjistrojnë, të doktorojnë e të punësohen në Kosovë.

Universiteti i Prishtinës do të bëhet i madh e i çmuar me numrin e pedagogëve të zgjedhur prej radhës së profesorëve të brezit të parë e të dytë të pasluftës, disa prej të cilëve ishin të doktoruar e shumica të pa doktorate.

Ai do të bëhet i madh e i çmuar me numrin e fakulteteve e të katedrave të shtuara; me numrin e të magjistruarve e të doktoruarve në disa fusha të dijes; me numrin e manifestimeve, tubimeve, simpoziumeve, konferencave shkencore për tema e probleme të fushave të ndryshme shkencore për krijues të ndryshëm – studiues të fushave shkencore albanologjike, shoqërore, natyrore e teknike, për shkrimtarë e krijues të arteve, për figura të shquara e të mëdha historike, për ngjarje të rëndësishme historike të kohëve më të hershme e të kohëve më të vonshme, kur e kur dhe të kohës sonë. E të tjera.

Ai do të bëhet i madh e i çmuar edhe në sajë të bashkëpunimit gjithnjë e më të rritur me universitete në Ballkan e në Evropë, dikur edhe në SHBA.

I themeluar në kohën e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushë të arsimit, shkencës e kulturës Universiteti i Prishtinës do të bëhet i çmuar edhe në sajë të bashkëpunimit me Universitetin e Tiranës e me institucionet e arsimit të lartë kudo në Shqipëri. Ligjëratat e profesorëve të lavdishëm nga Shqipëria – Eqrem Çabej, Dhimitër Shuteriqi, Mahir Domi, Androkli Kostallari, Shaban Demiraj, Rexhep Meidani, Aleks Buda, Kristo Frashëri e të tjerë në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe e në Katedrën e Historisë, por edhe në fakultete drejtimesh të ndryshme, sidomos në Fakultetin e Mjekësisë, ku do ta shtojnë shumë përkushtimin e studentëve të Universitetit të Prishtinës ndaj studimeve po sidomos edhe ndaj këtyre profesorëve, kurse të studentëve të Universitet të Tiranës ndaj profesorëve nga Kosova që mbanin ligjërata në atë Universitet shumë të çmuar.

Por, këtë bashkëpunim Serbia do ta lejojë vetëm rreth dhjetë vjet!

Prestigjin e Universitetit të Prishtinës jo vetëm prej bashkatdhetarëve por edhe prej të huajve do ta shtojë edhe Seminari i Gjuhës, i Letërsisë e i Kulturës Shqiptare. Fryt i çmuar i këtij Seminari por edhe i vetë Universitetit ishte mendësia: të parët tanë, ilirët, e kishin ndërtuar shtëpinë në hapësirën mes Perëndimit e Lindjes, në të cilën gjatë shekujve takoheshin frytshëm kulturat e qytetërimet Perëndimore e Lindore, por kur e kur ballafaqoheshin përgjakshëm fuqi të Perëndimit që ishin nisur drejt Lindjes dhe fuqi të Lindjes që ishin nisur drejt Perëndimit. Për këtë arsye paraardhësit tanë u kishin lënë amanet pasardhësve – arbërve, shqiptarëve, të përkrahin jo ballafaqimin e atyre fuqive po marrëveshjet, bashkëpunimet e ndërsjella si dhe takimet, frymëzimet, gërshetimet e kulturave e të qytetërimeve të tyre, të vetëdijshëm se ashtu i kontribuohet të mirës, paqes, mirëqenies mes popujve e shteteve.

Botës në përgjithësi.

Prestigjin e Universitetit të Prishtinës do ta rrisë ndjeshëm edhe dhënia e titullit doktor nderi, doktor honoris causa, për kontribute të veçanta akademike në fusha të ndryshme një vargu personalitetesh, studiuesish, shkrimtarësh, krijuesish të arteve, shtetarësh, diplomatësh dhe figurash politike botërisht të çmuara.

Universiteti i Prishtinës do të jetë jashtëzakonisht i çmuar edhe përtej Kosove, kurse Serbia do ta konsiderojë si shumë të rrezikshëm pas demonstratave të rinisë studentore e të shkollës shqiptare në mars të vitit 1981.

Me ndërprerje kur më të shkurtra e kur më të gjata këto demonstrata do të zgjasin shumë. Në të vërtetë ato u bënë ndërtueset e forta të idealit të lirisë dhe të Pavarësisë së Kosovës.

Prej një numri të këtyre studentëve do të krijohet edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila me luftën e saj Çlirimtare e me përkrahjen e SHBA-ve dhe NATO-s do t’i sjellë Kosovës çlirimin, lirinë, pavarësinë dhe shtetin më vete.

Regjimi serb do t’i hakmerret Universitetit të Prishtinës për demonstratat, për kontributin e madh dhënë UÇK-së dhe për gjithë ç’kishte bërë e çka supozohej se do të bënte për zhvillimin dhe për zërin gjithnjë e më jehues të Kosovës në Botë: do ta shpërbëjë Universitetin e Prishtinës duke e ndarë në pjesën – shqiptare e pjesën serbe në fillim e duke i quajtur demonstratat Kontrarevolucion, të cilin shqiptarët do të detyrohen ta dënojnë në mbledhje në të gjitha institucionet politike, shoqërore, ekonomike, arsimore, shëndetësore e të tjera, në të cilat ata do të diferencohen në pikëpamje politike, ideologjike, duke mbrojtur tërësinë territoriale të Jugosllavisë, bashkim vëllazërimin, vetëqeverisjen socialiste jugosllave e duke dënuar kërkesat e demonstruesve, nacionalizmin shqiptar vatër e të cilit thuhej ishte pikërisht Universiteti i indoktrinuar prej intelektualëve, shumë prej të cilëve do të burgosen, disa do të dënohen në forma të tjera të ndryshme, e disa do të izolohen me përgjime të vazhdueshme, kurse shumë të tjerë do të përjashtohen prej punës!

Universiteti i Prishtinës, ndërkaq, nuk do të dorëzohet: ai do të vazhdojë veprimtarinë e tij arsimore, shkencore e kulturore në shtëpi private me gjithë pengesat, vështirësitë e dhunën e ushtruar nga pushteti serb. Mjafton të përmenden keqtrajtimet e dënimet e vazhdueshme fizike e psikike të policisë serbe ndaj studentëve shqiptarë për vajtjen në këto shtëpi private për të dëgjuar ligjëratat.

Siç shihet prej sa u tha më sipër, Universiteti i Prishtinës i ka dhënë kontribut të madh ndërrimit të fatit historik të Kosovës.

Në sajë të veprimtarisë së tij të përgjithshme shekulli njëzet e një ka filluar si shekull i ngritjes historike – shoqërore, shpirtërore, shkencore, kulturore, kombëtare, qytetëruese të popullit shqiptar. Ky fat, pamatshëm i dëshiruar, e i rëndësishëm, na obligon të bëjmë çmos me të gjitha mundësitë mendore e trupore, me përkushtime të pakursyera, për ta realizuar këtë gjasë historike.

Universiteti i Prishtinës sot

Tani e sa vite pas çlirimit dhe krijimit të shtetit të lirë, të pavarur dhe më vete të Kosovës, Universiteti i Prishtinës duket i heshtur siç nuk ishte asnjëherë më parë prej themelimit.

Njëri prej mendimtarëve të lavdishëm evropianë, ndërtues i doktrinës së demokracisë, e thotë: heshtja e popullit është më e dëmshme se sa diktatura e despotit.

Ardhmëria, është thënë, iu takon të rinjve.

Ata, për hir të asaj ardhmërie, duhet ta ngrenë zërin kundër të këqijave shoqërore, politike, shtetërore e të tjera.

Ata duhet ta ngrenë zërin kundër të keqes së madhe – uzurpimit të pronave që dikur ishin shtetërore, kundër të këqijave që janë bërë sistem – korrupsionit, nepotizmit, përvetësimeve, zhvatjeve të të mirave kolektive e të tjerave me çka po cenohet ndërtimi i demokracisë, mirëqenia dhe zhvillimi i Kosovës.
Ata duhet ta ngrenë zërin e tyre lart që të dëgjohet e çmohet sa më shumë edhe ndaj shpërfilljes së kulturës dhe krijuesve të saj.

Nuk guxojmë të harrojmë se kultura, që e përbëjnë të gjitha fushat e krijimtarisë shpirtërore, është dëshmi dhe shprehje e nivelit të lartë të ekzistencës së njeriut.

E ky nivel i lartë i jetës sonë, i ekzistencës sonë, ishte misioni madhor i Universitetit tonë.

Prishtinë, 15.2.2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Përgjithshëm i Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka reaguar…