Pesëdhjetë vjet në anën e errët të jetës së përditshme
– Për pesëdhjetëvjetorin e albumit The Dark Side of the Moon, të grupit Pink Floyd
Agron Shala
A e kapët tash? Kjo është pyetja që lideri i parë i grupit Pink Floyd, Syd Barrett, e shtronte në ushtrime. Ideja e tij ishte për një këngë të re, me një titull ngatërrues – Have You Got it Yet? Meqë shumicën e kohës i binte të njëjtit akord, ideja dukej e thjeshtë, por kohë pas kohe gjithçka ndryshonte. E, Barretti vazhdimisht pyeste: A e kapët tash? Tingëllonte si tallje në lidhje me titullin e këngës, pa e ditur se ishte shenjë e kalimit të Barrettit në fazën kur do të njihet si “Gjeniu i Çmendur”. Por, shtrimi i pyetjeve dhe sidomos kërkimi i përgjigjeve, do ta identifikojë periudhën post-Barrett të grupit.
Pink Floyd u formua në vitin 1965 nga studenti i artit Syd Barrett dhe nga studentët e arkitekturës Roger Waters, Richard Wright dhe Nick Mason. Ishte kjo koha kur rinia angleze dhe britanike nis ta ndërtojë revolucionin shoqëror të njohur si kundërkultura – me rebelimin kundër stereotipave, kundër sistemit politik, vlerave morale, imponimit të mendimeve … Kundërkultura solli edhe lëvizjen muzikore dhe artistike të njohur si psikodelia – që ndërlidhet me përdorimin e drogës sintetike, LSD. Përdorimi i kësaj droge ndikonte pos në eufori dhe në humor, po ashtu edhe në perceptimin e tingujve, ngjyrave, objekteve … Këtë përvojë Pink Floyd e shpërfaqi në muzikë dhe në paraqitjen skenike, me dritat e sinkronizuara dhe me projektimin e efekteve likuide, duke u bërë përfaqësues kryesor i rokut teatral. Dëshmi për këtë është edhe koncerti në Pompej [Pink Floyd: Live at Pompeii, 1972], që mund të mendohet si version tjetër i katër minutave dhe tridhjetë e tre sekondave të kompozitorit John Cage [4’33’’]. Cage – kompozitor, filozof, teoricien dhe pionier i muzikës elektronike – e krijoi një vepër pa asnjë notë, gjatë interpretimit të së cilës muzikantët rrinin pa bërë asnjë lëvizje. Ai kështu ka dashur t’i hulumtojë tingujt e heshtjes dhe zhurmat e publikut – gjërat që rëndom nuk dëgjohen në koncerte. Kjo vepër unike ndikoi që nga shumëkush ai të njihej edhe si “autor i heshtjes”. Pink Floyd, në anën tjetër si “grup i zhurmës” (muzikologu dhe kritiku i njohur i muzikës klasike, Hans Keller, më 1967 në BBC i cilësoi si shumë të zhurmshëm), mban koncert pa asnjë person në publik. Muzika kishte rëndësi për anëtarët e grupit, jo numri i njerëzve në publik. Për dallim nga Cage, ata e bënë një eksperiment tjetër arti, për të dëshmuar se shfaqja duhet të vazhdojë dhe se artisti duhet të këmbëngulë në atë që beson dhe jo te perceptimet dhe entuziazmi i masave. Në fakt, janë masat ato që grupin e shtyjnë më vonë drejt izolimit, gjë që dëshmohet me rok-operën më të njohur: me murin e ndërtuar në skenë [The Wall, 1979]. Oferta e tyre ishte merre ose leje, kompromis nuk kishte dhe kjo dëshmohet që herët me këmbënguljen e Barrettit që albumi i parë i grupit, The Piper at the Gates of Dawn (1973), të mos e ketë asnjë singël promovues.
Dhe, kështu …. gjithçka evoluon dhe kulmon në vitin 1973! Deri atëherë, grupi ishte në kërkim. Largimi i Barrettit dhe zëvendësimi i tij me David Gilmourin, i ka shtyrë kritikët të shkruajnë se grupi mbaron shpejt, se pa forcën shtytëse nuk mund të bëjë asgjë. Albumet e radhës – A Saucerful of Secrets (1968), More (1969), Ummagumma (1969), Atom Heart Mother (1970), Meddle (1971) dhe Obscured by Clouds (1972) – ishin albume konceptuale, kreative, me tema të caktuara interesante, por që përfaqësonin kakofoni të mendimeve dhe të ideve. Nuk kishin qartësi të konceptit, drejtim – siç edhe grupi nuk e kishte një dirigjent [lider]. Ishin në gjendjen si “pas vdekjes së Stalinit” (frazë të cilën e ka përdorur Masoni, pas largimit të Watersit nga grupi më 1984), meqë anëtarët duhej ta gjenin veten dhe të ardhmen e përbashkët.