Pesëmbëdhjetë kandidatë në garë për drejtor të institucionit të trashëgimisë kulturore
Pas dështimit të konkursit të brendshëm në mungesë kandidatëve dhe zgjatjes së afatit për aplikim, Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit më në fund do të ketë mundësi ta zgjedhë atë që do të udhëheqë me Institutin e Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.
Pesëmbëdhjetë kandidatë ia kanë mësyrë këtij posti në konkursin e jashtëm për drejtor të IKMM-së, që përfundimisht, pas zgjatjes së afatit prej shtatë ditësh, u mbyll më 15 të këtij muaji, shkruan “Koha Ditore”.
Konkursi për drejtor të IKMM-së, i hapur fillimisht si i brendshëm në fund të muajit mars, ishte vonuar për një vit. Në mars të vitit të kaluar është dorëhequr ish-drejtori i këtij institucioni, Alban Bakija, e që nga ajo kohë deri në gusht, Agim Gërguri ka udhëhequr me IKMM-në si ushtrues detyre i drejtorit. Prej gushtit këtë pozitë e mban Ardiana Qorraj.
Taulant Balaj, ushtrues detyre i udhëheqësit të Divizionit për Burime Njerëzore në Departamentin për Financa e Shërbime të Përgjithshme në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit, tregon se për këtë pozitë (pas një afati shtesë) kanë shprehur interesim gjithsej 15 kandidatë.
Ardiana Qorraj, ushtruese e detyrës së drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, e ka konfirmuar se është njëra prej kandidatëve që ka konkurruar për këtë pozitë.