Pesëvjeçarja që shpëtoi një studio të Holivudit nga falimentimi
Nga: Aine Quinn / BBC
Në dhjetor të vitit 1933, pesëvjeçarja Shirley Temple nënshkroi një kontratë me Fox Studios, e cila ndodhej në prag të falimentimit. Seksioni “Në Histori” [In History] i BBC-së rikthen vëmendjen te mënyra se si ajo rigjallëroi pasurinë e studios – dhe u bë një superyll. “Mësimi ishte ‘koha është para’ dhe ‘është punë, jo lojë’. Këtë e mësova para se të bëhesha një yll”, tha ajo.
Kur Shirley Temple u intervistua nga BBC në vitin 1989 për fëmijërinë e saj si superyll, ajo po shijonte një etapë të dytë të jashtëzakonshme në karrierën e saj si diplomate amerikane. Pavarësisht se dikur ishte ylli më i paguar i Holivudit, ajo duhej të punonte, sepse pjesa më e madhe e miliona dollarëve të saj ishin zhdukur.
“Ju gjithashtu shpëtuat 20th Century Fox-in nga falimentimi, apo jo”? – e pyeti prezantuesi Terry Wogan, gruan që tashmë njihej me mbiemrin e saj të martesës, Shirley Temple-Black. “Mendoj se po”, u përgjigj ajo.
Në vitin 1933, Fox Studios ishte pothuajse pranë falimentimit. E themeluar nga William Fox në vitin 1915, studioja lulëzoi gjatë epokës së filmave pa zë. Kur erdhi Depresioni i Madh [Kriza e Madhe Ekonomike], studioja po punonte me humbje, kishte borxhe prej miliona dollarësh dhe çmimet e aksioneve ishin përmbysur. Shpëtimi erdhi në trajtën e një vajze të vogël bionde, me flokët kaçurrela.
Dy javë para se të nënshkruante kontratën me studion, ajo u përzgjodh për filmin Stand Up and Cheer!, së bashku me James Dunnin i cili luante rolin e babait të saj. Edhe pse rolet e tyre ishin relativisht të vogla, të dy ata lanë përshtypje të tillë saqë u përzgjodhën menjëherë për më shumë filma së bashku. Shirley Temple u bë një emër i njohur për të gjithë.
Hapi i parë i Templeit në botën e shoubizit erdhi kur nëna e saj e çoi në kurse kërcimi, kur ajo ishte vetëm dy vjeç e gjysmë. Ajo i tha BBC-së: “Kisha aq shumë energji – dhe nuk bëja gjumë në mesditë – saqë më çoi në një shkollë kërcimi afër lagjes, më pak se dy milje [3.2 kilometra] larg shtëpisë sonë. Dhe, ushtrohesha atje, më kupton – mësoja rumbën dhe tangon.”
Ishte pikërisht ajo shkollë ku ajo u zbulua nga regjisori Charles Lamont dhe ku u përzgjodh për një seri filmash të shkurtër të quajtur Baby Burlesks. Ajo paguhej me gjithsej 10 dollarë për çdo ditë xhirimi, por provat nuk ishin të paguara. Temple nuk foli mirë për këtë produksion. Ajo tha:
“Ai nuk ishte një producent i madh. Ishte një producent shumë i lirë. Ishte pjesë e një kompleksi në Holivud të quajtur ‘Kolona e varfërisë’”.
Lamont, së bashku me producentin Jack Hays, punonin për kompaninë Educational Films Corporation. Trevjeçarja e atëhershme luajti në tetë filma, por xhirimet nuk ishin një vend i këndshëm për Templein ose për aktorët e tjerë fëmijë. Ajo përshkroi ndëshkimin për sjellje të keqe: “Në sheshxhirimin tonë kishte dy kuti zëri. Njëra prej tyre kishte një bllok akulli brenda, dhe kur ndonjëri nga ne nuk sillej mirë, na dërgonin një nga një në kutinë e zezë për t’u qetësuar dhe për të reflektuar. Në errësirë, me derën të mbyllur”. Ajo shtoi: “Kisha shumë infeksione në veshë, shumë probleme me sytë nga ajo përvojë. Hyra në atë kuti disa herë”.
Gjithashtu, prindërit nuk lejoheshin të qëndronin në sheshxhirim me fëmijët e tyre. Në vend të kësaj, nëna e Templeit i qepte kostumet, i jepte mësime aktrimi dhe çdo natë ia rregullonte flokët në kaçurrela.
Temat e filmave, sot, duken shumë të papërshtatshme. Temple i përshkroi ato si “imitime të filmave për të rritur”. Një nga personazhet e parë që ajo interpretoi quhej Morelegs Sweet Trick, një lojë fjalësh që i referohej yllit të kinemasë, Marlene Dietrich. Në filmin War Babies, Shirley trevjeçare shfaqet e veshur me një bluzë të ulur nga supet dhe një pelenë të mbajtur me një gjilpërë të madhe sigurie, duke kërcyer për fëmijët e tjerë që luanin ushtarë, të cilët grindeshin për të dhe i jepnin karamele. Në filmin Polly Tix in Washington, ajo është një “prostitutë” e dërguar për të joshur një “senator”. Në skenën e parë, ajo mban jelek dhe rregullon thonjtë. Më vonë, shfaqet në zyrën e senatorit e mbushur me perla dhe i thotë vogëlushit, që luan rolin e senatorit, se është dërguar për ta “zbavitur”. Temple vuri në dukje në autobiografinë e saj, Child Star, se filmat ishin “shfrytëzim cinik i pafajësisë sonë fëmijërore” dhe se ndonjëherë “ishin racistë ose seksistë”.
Premisa e filmit ishte se Depresioni i Madh ishte rezultat i mungesës së “optimizmit”, ndaj u mbajtën audicione për të gjetur artistët që do t’i lumturonin njerëzit. Temple dhe James Dunn ishin partnerë në një skenë vallëzimi. Nuk pati kohë të mësonte koreografi të re, ndaj ajo ia mësoi Dunnit një kërcim që kishte mësuar më parë për një shfaqje tjetër. Menjëherë pas xhirimeve, asaj iu ofrua një kontratë njëvjeçare, me mundësinë për zgjatje shtatëvjeçare, për 150 dollarë në javë. E ëma u pagua gjithashtu për ta shoqëruar në sheshxhirim. Kontrata u nënshkrua më 21 dhjetor 1933. Në autobiografinë e saj, Temple e quajti këtë “të parin në një seri resh të errëta që do të rrinin pezull mbi të gjatë shtatë viteve të ardhshme”.
Filmi i radhës i duetit Temple dhe Dunn ishte Baby, Take a Bow, i cili u shfaq premierë në prill 1934. Ajo gjithashtu u huazua për studio të tjera për mijëra dollarë, shumë më tepër sesa paguhej vetë. Më vonë, në atë vit, doli filmi Bright Eyes. I shkruar posaçërisht për këtë dyshe, filmi përfshinte një këngë që do të bëhej hiti i saj i njohur: On the Good Ship Lollipop.
Por, Fox Studios kishte vuajtur që nga kriza e bursës së vitit 1929 dhe, në vitin 1934, Fox-i u bashkua me 20th Century Pictures për t’u bërë 20th Century Fox. Sipas revistës Vanity Fair, drejtuesi i Fox-it, Winfield Sheehan, ka thënë: “Ata nuk e blenë studion Fox, ata e blenë Shirley Templein”.
Temple rezultoi të ishte një sukses i madh për audiencat e kohës së Depresionit, të cilat dëshironin të shihnin filma optimistë dhe të hareshëm në kinema. Presidenti Franklin D. Roosevelt ka thënë për të: “Gjatë këtij Depresioni, kur morali i popullit është më i ulëti se kurrë më parë, është gjë e shkëlqyer që për vetëm 15 centë një amerikan mund të shkojë në kinema, të shohë fytyrën buzagaz të një fëmije dhe të harrojë shqetësimet e veta”.
Pas nënshkrimit të kontratës me Fox-in, e ëma ishte gjithmonë në xhirime me të. Një gjë e veçantë që e dallonte Templein nga yjet e tjerë fëmijë ishte marrëdhënia e ngushtë që kishte me prindërit. Ajo ia kushtoi autobiografinë e saj “nënës së dashur”. Yjet e tjerë fëmijë nuk ishin aq me fat.
Në vitin 1939, Kalifornia miratoi Ligjin për Aktorët Fëmijë të Kalifornisë, i njohur zakonisht si Akti Kugën, me emrin e Jackie Coogan. Coogan, i lindur 13 vjet para Templeit, u bë një nga yjet e parë fëmijë kur u shfaq bashkë me Charlie Chaplinin në filmin e suksesshëm të vitit 1921, The Kid. Ai fitoi miliona dollarë, por ato u shpenzuan nga nëna dhe njerku i tij të cilët ai i paditi në vitin 1938. Beteja ligjore çoi në miratimin e një ligji në Kaliforni që specifikonte kushtet e punës dhe siguronte që 15 për qind e pagës së një aktori fëmijë të vendosej në një llogari të quajtur Llogaria Kugën.
Shumë aspekte të filmave të saj nuk i kanë rezistuar kohës. Temple i tha BBC-së se, megjithëse ajo dhe Bill “Bojangles” Robinson ishin partnerët e parë ndër-racorë në një skenë kërcimi, çdo skenë ku ata preknin njëri-tjetrin shpesh pritej gjatë montimit. Ndërkohë, prapa kamerave, Holivudi ishte shpesh një vend i rrezikshëm për aktorët e rinj. Shumë kohë pasi karriera e saj filmike përfundoi, Temple kujtoi sjelljet grabitqare që kishte përjetuar kur ishte vetëm 12 vjeçe.
Në intervistë, Temple i tha Woganit se puna si ambasadore në Ganë “ishte më e mira e jetës sime”.
Wogan-i e pyeti: “A je lodhur nga ajo kënga Good Ship Lollipop”?
“Jo”, u përgjigj Temple. “Ajo më ka çuar shumë larg”! /Telegrafi/