PESHËRËNDA VLERËMADHE, VOTË E NËNËS

07 tetor 2019 | 22:52

ISA FERIZAJ

Me datën 06 tetor 2019, populli i Kosovës, me të drejtë vote, iu drejtua kutive të votimit, për të zgjedhur përfaqësuesit e vet në organin më të lartë të pushtetit kushtetues, në Kuvendin e Kosovës.
Kësaj here zgjedhjet në Kosovë patën një të veçantë, sepse ato ishin të parakohshme.
Kultura politike, por edhe ajo morale, njerëzore që i karakterizoi këto zgjedhje, që nga dita e shpalljes së tyre e, deri në daljen e rezultatit të atij votimi shembullor e më se demokratik, pse jo edhe një model i shkelqyer edhe për shtete me demokraci në ‘moshën’ e tretë, të botës së sotme.
Kosova, shteti më i ri i Europës, shembulli dhe modeli më i përkryer se si mund të organizohen, kryhen e mbyllen zgjedhjet e sistemit qendror në një vend!
Ende, edhe sot e kësaj dite, diskutohet për ndershmërinë e zgjedhjeve të fundit për president, në kryekalanë e demokracisë botërore, SH.B.A.
Kjo dukuri e, as të tjera si kjo, nuk ndodhen në asnjë palë zgjedhjesh në shtetin e ri e të brishtë të Kosovës së pasmëvetësisë së saj.
Në këto radhë që po shkruaj, jo pa një farë frymëzimi të veçantë, dua të ndalem tek ‘Vota e Nënës’!
Gjithandej në këto zgjedhje u panë nëna në moshë të thyer, bile edhe mbinjëshekullore, siç ishte ai rasti i një nëne 106 – vjeçare që votoi në Ferizaj.
E habitshme, se si një pjesë e nënave tona, këtyre krijueseve e rilindsëve të botës njerëzore, në rastin konkret, të popullit e të kombit tonë, ndonëse në pjesën e mbrame të rrugëtimit të tyre jetësor, nuk u tërhoqën nga detyrimi i tyre ndaj dheut të të parëve, dheut të tyre e, të bijëve të tyre; ato nuk u treguan indiferente ndaj këtyre zgjedhjeve, çka edhe mund t’i ‘justifikonte’, por e çuan mesazhin e amanetin e tyre deri në kutitë e votimit, për ta bashkuar me ëndrrat e amanetet e parealizuara të breza e breza nënave të tjerë, ikur nga kjo jetë. Ëndrrat e nënave janë kryeëndërra, sepse nga ato lindin të gjitha ëndrrat e një populli, a kombi, ëndrra jete, lirie, përparimi, zhvillimi, arsimimi, kulturimi e civilizimi njerëzor e shoqëror.
Sa rëndë peshon një votë nëne!
Jam i bindur se ajo votë ka brenda peshën e dashurisë së pamatshme njerëzore të një nëne; po ashtu, besoj se vota e një nëne shqiptare ka brenda vlerën që s’matet me asgjë, atë të lindjes e të trashëgimisë së gjithëformshmë të kombit e kulturës së tij; ajo votë, e kuptoj se është e ngjizur në mënyrën më kuptimplote me kalkun gjuhësor të shqipes, ‘Mëmëdhe’ ( dheu i mëmës), i mëmave tona, kalk ai që defton qartë se si u dha kryevlera këtyre nënave njerëzore, fisnike, deri në hamendësi, hyjnore, se si u dha atyre të drejtën dhe mundësinë për ta bërë dheun ku ato na lindën, ‘djepin’ ku ato na perkunden e na rriten e, ku pranë të të cilit na kënduan këngët e zemres së Kombit tonë; na futen në zemer e në gjak, dashurinë për këtë ‘djep’, të cilin së bashku me bashkëshortët e me baballarët e fëmijëve të tyre, e quajtën edhe ‘Atdhe’ ( dheu i atit ), qellim ky si për ta bërë të qartë amësinë dhe atësinë tonë kombëtare.
Parë në këndveshtrimin filozofik, Atmëmëdheu ynë është edhe i atit, edhe i mëmës, çka e shpreh shumë bukur edhe gjuhësisht, por edhe moralisht e shkencërisht, dialektikën e filozofinë e formimit të Kombit tonë.
Kështu pra, Atmëmëdheu ynë është prindërsia jonë e parë natyrore e ‘biologjike’ sepse me ‘gjakun’ e tij kemi mbushur zemrat tona, me ‘bukën’ e tij kemi ushqyer jetët tona’, me ‘ujin’ e tij kemi shuar etjet e gjithëshfarshme në rrugëtimin tonë të gjatë e të stërmundimshëm, me bukuritë e tij, kemi ushqyer ndjesite e shpirtin, zemrat e arsyen tonë, me madhështinë e shpërfaqjes së Atmëmëdheut tonë në sytë tanë, kemi ushqyer edhe rritur vlerat tona njerëzore.
Ja, sa ‘e rëndë’ është vota e një nëne shqiptare, për fatet tona në rrugëtimin tonë historik!
E tillë, peshërëndë sa kjo tokë është edhe vota e nënës Ramize, në Cernicë të Gjilanit!
Aty, në atë votë të kësaj nëne zemermadhe, afro 80-vjeçare, është ‘vota’ – ‘Po, me Shqipërinë’! – Jo, me Serbinë!, e heroit të Kosovës e të shqiptarisë, Ramiz Cernica; aty, në atë votë është sakrifica e mbijetesa e gjysmës së kombit tonë nën robërinë çnjerëzore mbi njëshekullore serbo-sllave; aty është vota ‘ideal’ dhe ‘përkushtim’ e një lufte guerilëse heroike e vetëmohuese edhe e asaj me armë në dorë për lirinë e Kosovës, e djalit të saj, Ismetit dhe e gjithë bijëve shqiptarë që mbushën radhët e UÇK-së; në atë votë, që mos qoftë e fundit, as për këtë nënë, por as për nënat e tjera moshëthyera shqiptare, shikova ëndrrat e ndezura të nipërve të saj, por edhe shkëndijat e atyre ëndrrave të para, në formë deshirash, të sternipit të saj, Akilit, që lindi e po rritet në Kosovën e lirë, falë edhe ‘votës’ së luftës së gjyshit të tij, komandant çlirimtar e fitimtar i famëmadhes lavdiplote, U.Ç.K. të udhëhequr nga kryekomandanti, legjendari i asaj lufte e ushtrie heroike, Adem Jashari.
Nënë Ramizja e Cernicës së burrave të urtë, trima, heroik e të pathyeshëm të asaj treve me lavdi, e pava tek po e hidhte atë votën e saj në kutinë e votimit dhe, përnjëherë lexova në rrudhat e ballit të saj se si jeta kishte skalitur portretin e një nëne të urtë deri në urtësi, shpirtmadhe deri në madhështi, e kthjelltësi, në vendimmarrjet e saj në sherbim të Atdheut, edhe përmes votes!
Tek ai akt solemn rikuptova se si ajo mishëronte në qenien e vetëdijen e saj, atë që është në të vertetë Nëna shqiptare legjendare, që vjen që nga mitet, legjendat, gojëdhënat, tregimet e realitetet e jetës shqiptare, për të na e dhënë e, për të na mësuar që ta përcjellim në brezat që po rritim, amanetin e detyrimin që kemi ndaj Dheut të babait e të nënës, amanet e detyrim nga i cili askush që i thotë vetes ‘shqiptar’, s’mund të shmanget.


Vota e nënave shqiptare është modeli se si ato heroina iu mësojnë e, iu ngulitin në vetëdijë fëmijëve të tyrë përgjegjshmërinë ndaj Atmëmëdheut; është mesazhi hyjnor i hyjnoreve nënave tona që na përcillet prej tyre përmes gjirit me të cilin na ushqyen, ai i dashurisë së paskajshme për këtë tokë që me krenari e quajmë ‘Atdhe’ e, ‘Mëmëdhe’; është porosia lapidare e çdo nëne shqiptare që nga lufta për mbrojtjen e lirinë e Atmëmëdheut, s’duhet shmangur kurrë, ndryshe historia të damkos me njollën e turpshme të tradhtisë, por edhe me mallkimin me fuqi rrufeje të zemres së nënës!
Vota e nënave shqiptare, është ‘vota’ e Atmëmëdheut për të jetuar në liri e në bashkim, ashtu siç na e caktoi e gjithëpushtetshmja, Natyra. Nga vota e çdo nëne shqiptare do të lindin vota të tjera vlerëmëdha, do të lindin ditët e reja të një ‘Bote të Re’, pa brenga, pa halle, pa vuajtje, pa ndasi e përçarje, pa urrejtje e pa tradhti, do të lind edhe Ribashkimi ynë Kombëtar!
Mora shkas të hedh këto radhë shkrimi, pasi votueset ‘Nëna’, dje në Kosovë, mu shëmbëllyen me zanat e me kreshniket e gojëdhënave e të legjendave, me urtësinë, me madhështinë, me lavdinë, me krenarinë e dinjitetin njerëzor e kombëtar.
Rrofshin të gjitha nënat që lindin e rilindin kombin tonë, që lindin e rilindin vlerat e gjithfarshme ndër brezat e shqiptarëve!
Përulem para madhështisë dhe gjithëpushtetit të nënës shqiptare!

Tiranë, me 07.10.2019.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar seancën e parë stërvitore…