Peskov: Është absurde të akuzohet Rusia për helmimet me Noviçok
Kremlini i ka hedhur poshtë pretendimet se Rusia mund të qëndrojë prapa helmimit të një gruaje britanike, e cila ka vdekur pasi i është ekspozuar agjentit nervor Noviçok.
Autoritetet britanike kanë kërkuar llogari nga Rusia pasi Dawn Sturgess dhe Charlie Rowley u helmuan fundjavën e kaluar në qytetin Ejmsbëri, me të njëjtin agjent që është helmuar edhe një ish-agjent rus dhe vajza e tij, në muajin mars.
Sturgess, 44 vjeçe, vdiq të dielën, ndërsa Rowley mbetet në gjendje kritike për jetën.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se ideja se Rusia qëndron prapa helmimit të tyre është “absurde”. “Rusia është thellësisht e shqetësuar për praninë e vazhdueshme të këtyre substancave helmuese në territorin britanik”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ato paraqesin rrezik jo vetëm për britanikët, por edhe evropianët e tjerë.
Noviçok është një agjent nervash, i cili është zhvilluar nga ushtria sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë.
Kremlini e ka mohuar edhe përfshirjen në helmimin e ish-agjentit rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij, Yulia, më 4 mars në qytetin Sallsbëri të Anglisë.
Rasti, megjithatë, ka shkaktuar krizë diplomatike midis Moskës dhe Perëndimit./rel/