Pësoi hemorragji cerebrale, ndërron jetë poeti i njohur Agim Doçi
Poeti i njohur shqiptar Agim Doçi ndërroi jetë pas disa ditëve në luftë për jetën.
Doçi u paraqit mëngjesin e 22 qershorit në Shërbimin e Neurologjisë në QSUT dhe u shtrua menjëherë në reanimacionin e këtij shërbimi, pasi pësoi hemorragji cerebrale.
Sipas mjekëve të kontaktuar nga Top Channel, kompozitori ishte gjendje të rëndë shëndetësore.
Artistë të njohur shqiptarë si dhe të afërm i kanë dhënë lamtumirën autorit të mijëra teksteve dhe këngëve shqiptare dhe i kanë shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit, përmes postimeve në rrjete sociale.
“Lamtumir. Lamtumir , Agim Doçi. O pendë artë i vargut poetik e të kënduar në breza.
Te kjoftë dheu i lehtë ashtu si të lehtë , të bukur,e bëre jetën tonë , plot shpres, mençuri , dashuri, patriotizëm , vlera , duke skalite në mos harresë emrin Agim Doçi.
Ashtu si trokite në çdo zemër me vargun tënd të kënduar .
Lamtumir Agim Doçi.
Ngushëllime, Ngushëllime , se sot të gjithë me dashuri . Respekt, , të thonë:
‘’ Pushofsh në paqe me Zotin tënd’’”, ka shkruar Myfarete Laze në Facebook.
“Lamtumirë Agim Doçi! Ike mik, shpirti yt i lir nuk pranonte kompromise, ndaj i the vdekjes eja s’ta kam frikën! Vargut yt i mençur do të na shoqëroj në jetë si një balsam që shëron plagët. Le kaq shumë gjëra nga pas sa s’mund të harrohen lehtë. Të qoftë dheu i lehtë mik i mirë Agim!”, ka shkruar kino-operatori Skënder Jaçe.
Kush ishte Agim Doçi?
Agim Doçi lindi më 9 maj të vitit 1948.
Ai u arsimua në Shkodër deri në gjimnaz dhe më pas vazhdoi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike.
Ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale duke marrë pjesë në shumë objekte të rëndësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë etj.
Në vitet e fundit të ’80 ka punuar pranë Kombinatit të Drurit “Misto Mame” si kryeinxhinier për energjinë.
Në 1989 dënohet duke u caktuar të punojë me tre turne në fabrikën e letër-kartonit. Ai ishte i përfshirë në lëvizjet e dhjetorit të vitit 1990.
Doçi ishte autor i shumë teksteve të këngëve shqiptare, fituesi i mbi 50 çmimeve, ndër to dhe dy herë përfaqësues me tekstet e tij në Eurovizion.
Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri dhe me mbi 100 këngë për luftën e Kosovës. Mund të përmenden këngë shumë të njohura si “Marrshi i UÇK-së”, “A vritet pafajësia”.
Ka botuar disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’. /TCH/