Peter Bayer: Gjermania kundërshton fuqishëm idenë e shkëmbimit të territoreve
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim dy deputetët e Bundestagut Gjerman, Peter Bayer dhe Christian Schmidt nga grupet e deputetëve të Unionit Kristian Demokrat dhe Unionit Kristian Social, parti që udhëheqin me Qeverinë e Gjermanisë.
Deputetët gjermanë kanë falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe bisedën e zhvilluar dhe kanë shprehur gatishmërinë e shtetit gjerman për vazhdimin e mbështetjes në proceset zhvillimore në Kosovë dhe rajon, që do të krijojnë klimën e stabilitetit dhe prosperitetit për të gjitha vendet e rajonit.
“Falënderojmë Qeverinë e Kosovës dhe popullin e Kosovës për mikpritjen që në vazhdimësi ua kanë bërë ushtarëve dhe zyrtarëve tanë. Gjermania shpreh gatishmërinë që Kosova t’i bashkohet familjes evropiane dhe po punojmë për këtë”, ka thënë deputeti gjerman Christian Schmidt.
Ndërkaq deputetit tjetër gjerman, Peter Bayer, ka bërë me dije se shteti i tij kundërshton fuqishëm idenë për shkëmbimin e territoreve.
“Ne jemi në vizitë zyrtare, por ne jemi me miqtë tanë. Biseduam për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Kemi folur për dialogun, të cilin e mbështesim mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për temën e këmbimit të territoreve, të cilën Gjermania e kundërshton fuqishëm. Ne do të jemi partner mbështetës i Kosovës për proceset e ardhshme, sigurisht me një sy kritik”, ka thënë deputeti Peter Bayer në prononcimin për medie, pas takimit.
Në takim ishte të pranishëm edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt dhe shefi i KAS për Kosovë, Johannes Rey.
/Epoka e re/