Peticion, 361 punëtorë të RTK-së kërkojnë shkarkimin e kryetarit të Bordit
361 punëtorë të Radio Televizionit të Kosovës kanë nënshkruar një peticionin për shkarkimin e kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini.
Sindikata e transmetuesit publik, ka njoftuar se 361 punëtorë të këtij mediumi i janë përgjigjur pozitivisht peticionit të sindikatave për shkarkimin e kryetarit Boletini.
Kjo sindikatë ka renditur disa nga ankesat e punonjësve të mediumit ndaj Boletinit.
“Të punësuarit e RTK-së, të indinjuar thellë me gjuhën denigruese të kryetarit të Bordit të RTK-së Besnik Boletini, të shprehur publikisht përmes ofendimeve e etiketimeve jonjerëzore ndaj tyre, duke përqeshur veshjet e tyre si dhe duke përbuzur angazhimin e tyre profesional; të shqetësuar për bisedat e tij informative me kandidatet më të poentuara për pozita menaxheriale gjatë konkursit, me qëllim të dekurajimit dhe frikësimit të tyre; përmes këtij peticioni të nënshkruar me vullnetin e lirë, kërkojnë: shkarkimin e menjëhershëm të kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini”, është thënë në njoftimin e sindikatës.
Më tutje është thënë se nga një kopje e peticionit do të ju dërgohet kryetarit të Kuvendit, grupeve parlamentare si dhe komisioneve përkatëse.