Peticioni i SBAShK-ut për pagat do të dorëzohet në Kushtetuese
Me rastin e pezullimit të përkohshëm të Ligjit të pagave nga Gjykata Kushtetuese sipas kërkesës së Avokatit të Popullit, ligj i cili do të jetë i pezulluar deri më 30 mars të këtij viti, pati shumë reagime dhe pakënaqësi nga sindikatat e disa institucioneve publike.
Reagime të menjëhershme kishte nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK), të cilët e filluan me anë të nënshkrimit të një peticioni kundër vendimit të pezullimit të ligjit të pagave dhe me këto nënshkrime do t’i drejtohen Qeverisë në detyrë dhe Avokatit të Popullit.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jashari, ka thënë për “Kosovapress”, se nënshkrimet e peticionit kundër vendimit për pezullimin e ligjit të pagave janë duke u mbledhur dhe se shumica e komunave i kanë dorëzuar.
Ata kërkojnë nga Avokati i Popullit, që në emër të gjithë atyre mijëra nënshkrimeve t’i drejtohet kushtetueses që ta pezulloj, gjegjësisht ta heq vendimin që e ka bërë për pezullimin e ligjit të pagave deri në fund të muaj mars, ngase sipas tij, ky afat konsiderohet shumë i gjatë.
Jashari ka thënë se janë “pro” zbatimit të Ligjit të pagave dhe po u kthye ligji në zero do të kemi telashe shumë të mëdha.
Ndërsa Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i ka thënë “Kosovapress”-it, se e ka pranuar kërkesën e SBAShK-ut, për ndryshim kundër vendimit të përkohshëm të pezullimit të ligjit të pagave.
Sipas Jasharit, duhet t’i japin hapësirë Gjykatës Kushtetueses të marrë vendimin e duhur sa i përket kësaj çështje.
Në anën tjetër, Haki Shatri, këshilltari i kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, ka thënë se roli i qeverisë në detyrë në këtë fazë të zhvillimeve nuk ka efekt.
Sipas tij, qeveria e ka përfunduar këtë proces dhe kjo çështje ka kaluar në instanca të tjera që lidhen me drejtësi dhe tash ka kaluar te Gjykata Kushtetuese.