Peticioni për shkarkimin e Atiqit, Gjoshi: Kurti është në koordinim me Beogradin dhe Listën Serbe
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka treguar se qytetarëve serbë të cilët sot janë duke e nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq janë duke i prirë Goran Rakiqi dhe Igor Simiqi.
Në këtë kontekst, Gjoshi ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti është në koordinim me Beogradin dhe Listën Serbe.
“Fotografitë nga Mitrovica e Veriut, ku qytetarëve serbë të cilët po nënshkruajnë peticionin po u prijnë Goran Rakiqi e Igor Simiqi, janë dëshmi e qartë se gjithçka është në koordinim të plotë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Do të mbahet mend përgjithmonë, se ky proces është i dirigjuar nga Beogradi dhe ka aprovimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, partia e të cilit është zënë duke u koordinuar në prapaskenë me Listën Serbe e superkriminelin Milan Radojçiq”, ka shkruar Gjoshi në “Facebook”, duke shtuar se këtu bëhet fjalë për një marrëveshje.
“Kryeministër, nuk ka nevojë as për pyetje dhe as për sqarime. Gjithçka po duket e qartë si kristali: Ju jeni në koordinim me Beogradin dhe Listën Serbe. Kryeministër, fotografitë nga veriu i Kosovës tregojnë koordinimin dhe marrëveshjen tënde, që t’ia merrni mandatin kryetarëve që nuk janë të Listës Serbe”, ka shkruar Gjoshi.