Peticionin “Duam zgjedhje” e nënshkruan mbi 22 mijë persona, ende vazhdon
Partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LV-ja), nëpërmjet një peticioni online të nisur që nga pasditja e së shtunës, po kërkon zgjedhje të reja. Me këtë peticioni LV-ja po e kundërshton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i ka dhënë të drejtë presidentit Hashim Thaçi për mandatarin për ta formuar qeverinë e re pas mocionit që e rrëzoi Albin Kurtin në muajin mars 2020.
Peticionin e Vetëvendosjes deri më tani e kanë nënshkruar mbi 22 000 qytetarë.
Në një konferencë për media mbajtur të shtunën, Vlora Haxhimehmedi, sekretareshë organizative e LV-së, ka thënë se Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë regjimit dhe, sipas saj, kjo gjykatë ka zgjedhur anën e gabuar të drejtësisë.
“Për t’i mbrojtur vlerat tona më të larta demokratike dhe vullnetin e shprehur më 6 tetor, si fillim do të nisim peticion ku do të kërkojmë zgjedhje dhe se vetëm qeveria e dalë nga zgjedhjet ka legjitimitet për të udhëhequr qeverinë” ka thënë Haxhimehmedi.
Megjithatë, ky peticion, edhe pse kanë kaluar shumë orë që prej nisjes së tij, nuk ka marrë shumë përkrahje siç merrnin iniciativat e tjera në studio televizive, të cilat i votonin për gjysmë ore, mbi 50 000 qytetarë.