Petkoviq e interpreton ndryshe marrëveshjen për energjinë
Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, e ka interpretuar ndryshe dakordimin në Bruksel për energjinë mes Kosovës dhe Serbisë.
Shefi i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Serbi, thotë se kompania serbe ‘Elektrosever’ ka fituar pavarësi në furnizimin me rrymë në katër komunat veriore.
“Elektrosever do të kryejë edhe shërbime të rëndësishme të shpërndarjes, pra ajo që kemi kërkuar dhe në të cilën kemi insistuar. Elektrosever do të kryejë shërbime të shpërndarjes, si: faturim, pagesa, mirëmbajtje e rrjetit dhe lidhje fizike e konsumatorëve. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse do të thotë se kemi autonomi në furnizimin e veriut të ‘Kosovës dhe Metohisë’ me energji elektrike”, ka deklaruar Petkoviq.
Ai ka theksuar se pas kësaj marrëveshjeje është hapur rruga edhe për bisedime për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.