Petkoviq i reagon Hovenierit: Lista Serbe është zëri i popullit serb, jo i ambasadave të huaja
Drejtori i të ashtuquajturës “Zyre për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, nuk i ka pritur mirë deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili ka thënë se Kosova është shtet demokratik, me kufijtë ekzistues.
Për më shumë, ai ka thënë se Lista Serbe është parti opozitare si të gjitha partitë opozitare, duke shtuar s’e nuk e konsiderojnë subjekt politik serb, por parti të serbëve etnikë në Kosovë.
E kjo e ka “nervozuar”, Petkoviqin i cili në reagim përmendi linjën imagjinare të Beogradit sipas të cilëve “kufijtë e Kosovës janë të Serbisë”, përkundër se Kosova e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008, duke u njohur nga SHBA-ja dhe shumica e shteteve të Bashkimit Evropian, pavarësi e konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND).
Madje, Petkoviqi për Listën Serbe thotë se i shërben interesave kombëtare serbe, e jo sipas tij ato të ambasadave të huaja.
”Ne e dimë mirë @USAmbKosovoku janë kufijtë në Kosovë, ata janë kufijtë e Serbisë në përputhje me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Dhe Lista Serbe është zgjedhja dhe zëri i popullit serb që mbron interesat kombëtare të popullit të tij në Kosovë, jo të ambasadave të huaja”, ka deklaruar Petkoviq në formën dëshirore, duke mohuar realitetin e Kosovës së pavarur.