Petkoviq me gjuhë fyese ndaj Osmanit, reagon Presidenca: Petkoviq ka mendësinë gjenocidale të Millosheviqit
U.d. shefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj, ka reaguar kundër kryenegociatorit të Serbisë në Dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, pasi ai kishte përdorur gjuhë fyese ndaj Presidentes Vjosa Osmani në një postim në rrjete sociale.
Në reagim në platformën X, Hollaj e quan Petkoviqin shovinist dhe thotë se retorika çnjerëzore e tij pasqyron mendësinë gjenocidale të Millosheviçit dhe Putinit.
“Shefi juaj e quajti Presidenten tonë ‘mi’, qeveria juaj e krahasoi me ‘miza’ dhe tani ju e quani ‘qen’. Kjo retorikë çnjerëzore pasqyron mendësinë gjenocidale të Millosheviçit dhe Putinit, duke zbuluar një injorancë rrëqethëse të mësimeve të historisë – pikërisht atë që do të prisnit nga një shovinist”, ka shkruar Hollaj në X.
Sot gjatë ditës, Petar Petkoviq kishte shkruar se “Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gënjen si qen!”
“Çfarë do të thotë populli ynë, Vjosa Osmani gënjen si qen! Asnjë marrëveshje për dinarin nuk është arritur”, kishte shkruar ai.