Petkoviq: Ndërkombëtarët kanë garantuar se serbët mund të shkojnë në Kosovë për të votuar

08 shkurt 2025 | 13:50

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se serbët e zhvendosur do të mund të udhëtojnë me autobusë për në Kosovë për të votuar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“Nga ana e komunitetit ndërkombëtar, Beogradi mbrëmë mori një garanci të qartë dhe të fortë se nuk do të ketë asnjë ndryshim në procedurat ekzistuese për hyrjen e serbëve të zhvendosur brenda vendit për të votuar dhe se do t’u mundësohet që pa pengesa, pa ndalime dhe pa shqetësime të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës”, tha Petkoviq, raporton Rel.

Ai shtoi gjithashtu se partnerët ndërkombëtarë i konfirmuan Beogradit se përfaqësuesit e tyre do të jenë të pranishëm të dielën e 9 shkurtit në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë për të siguruar hyrjen e serbëve në Kosovë për të votuar.

Mediat në Kosovë raportuan se autobusëve me serbë që do të vijnë për të votuar nuk do t’iu lejohet hyrja, përveç nëse janë pjesë e linjave të rregullta ose nëse kërkojnë leje nga institucionet përkatëse si dhe mund të hyjnë vetëm transportuesit që kanë linja të regjistruara për transport ndërkombëtar.

Për këtë çështje, Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Infrastrukturës së Kosovës dhe Policinë e Kosovës, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Shteti serb është angazhuar për të organizuar votimin e serbëve të zhvendosur nga Kosova në Serbi për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Internacionales Liberale, Karl-Heinz Paque, ka shprehur mbështetjen për…