Petkoviq: Nëse Prishtina nuk e formon Asociacionin, serbët do të largohen nga institucionet e Kosovës
Nëse Prishtina nuk e zbaton detyrimin nga marrëveshja e Brukselit, atëherë edhe detyrimet e Serbisë nga ai dokument do të pushojnë, ka thënë, Petar Petkoviq, drejtor i ri i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Gjatë një takimi me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të mbajtur në Beograd, Petkoviq ka paralajmëruar se Serbia do ta konsiderojë edhe daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Petkoviq nuk iu përgjigj pyetjes së “Radios Evropa e Lirë” rreth afatit të fundit për Prishtinën, pas së cilit, Serbia do të heqë dorë nga zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit.
Ai, gjithashtu nuk specifikoi hapat e ardhshëm të Serbisë lidhur me këtë çështje.
Sipas tij, është përgjegjësi e Bashkimit Evropian (BE) të ushtrojë presion mbi Prishtinën dhe të mundësojë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, siç parashikohet nga Marrëveshja e Brukselit e muajit prill të vitit 2013.
“Nuk do të ketë marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën përpara formimit të Asociacionit, dhe as nuk është në rend të ditës dhe as që është diskutuar diku. Serbia nuk do ta njohë Kosovën, dhe në këmbim të marrë një asgjë të madhe. Marrëveshja duhet të burojë nga dialogu”, ka deklaruar Petkoviq./rel/