Petkoviq: Po nisim formimin e Asociacionit

30 korrik 2022 | 15:25

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha sot se përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës do të fillojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gjatë një konference për media në Serbi, ai tha se kjo do të jetë përgjigja nëse autoritetet e Kosovës nuk heqin dorë nga synimi i tyre që nga 1 gushti të nisin zbatimin e vendimeve për targa të automjeteve dhe letërnjoftimet serbe.

“Serbët nuk kanë çfarë të presin. Nëse ata mund të sillen si të duan, atëherë është normale që serbët të nisin krijimin e Asociacionit. Kanë kaluar dhjetë vjet dhe ata duhet të sigurojnë të drejtat e tyre”, tha Petkoviq.

I pyetur që të jap detaje lidhur me formimin e Asociacionit, Petkoviq u përgjigj:

“Ne do t’iu informojmë me kohë për çdo gjë”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit më 2013, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja. Më 2015, palët po ashtu arritën Marrëveshjen mbi parimet e krijimit të këtij Asociacioni, por zbatimi i marrëveshjes ka ngecur. Në të njëjtin vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte thënë se 23 pikat e marrëveshjes nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, raporton Rel.

Qeveria e Kosovës insiston se nuk mund të ketë asociacion njëetnik, ndërkaq Serbia vazhdimisht ka insistuar në formimin e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
13 sportistë të shtatë sporteve të ndryshme përfaqësuan Kosovën në…