Petkoviq: Serbia do të shqyrtojë dërgimin e forcave të saj në Kosovë

08 dhjetor 2022 | 23:44

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Petkoviq i bëri komentet mbrëmjen e së enjtes, pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka rritur praninë e saj në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Petkoviq tha se 300 deri në 350 policë të Kosovës – përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU – “kanë okupuar dhe bllokuar” Mitrovicën e Veriut.

Paraprakisht, edhe disa media serbe raportuan ngjashëm, por Qeveria e Kosovës i hodhi poshtë pretendimet e tilla.

Zëdhënësi Përparim Kryeziu tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e sigurisë kanë rritur praninë në veri të Kosovës, duke dërguar “vetëm policë të rendit”.

Petkoviq tha se “Policia e Kosovës nu ka të drejtë të shkojë në veri, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit”, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë nënshkruar në vitin 2013.

“Aje lejohet vetëm policia e drejtorisë së veriut. Këtë të gjithë e dinë dhe të gjithë bëhen si të marrë dhe e lejojnë [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin të ndërmarrë veprime të tilla të rrezikshme, që kanë për qëllim varrosjen e Marrëveshjes së Brukselit”, tha Petkoviq.

Tensionet në pjesën veriore të Kosovës, ku më 18 dhjetor pritet të mbahen zgjedhjet lokale në katër komuna, janë në rritje.

Më 6 dhjetor atje ka pasur edhe incidente me armë zjarri, pasi grupe të qytetarëve serbë nuk lejuan Komisionin Qendror Zgjedhor të Kosovës të hynte në zyrat e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka dhënë një lajm shumë…