Petkoviqi: Asociacioni duhet t’i respektojë marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se në Bruksel ka qenë bashkë me 18 ekspertë të fushave të ndryshme.
Sipas tij, kjo flet për seriozitetin dhe përgjegjësinë e Beogradit në procesin e dialogut me Prishtinën.
Petkoviqi ka thënë se me Lajçakun ka biseduar për statutin e Asociacionit dhe ka paralajmëruar se bisedimet do të vazhdojnë.
Sipas tij, ekspertët serbë “kanë folur në mënyrë shumë të argumentuar dhe të qartë për të gjitha aspektet e draft-statutit, veçanërisht për pjesën që ka të bëjë me kompetencat ekzekutive të Asociacionit, në radhë të parë planifikimin hapësinor, shëndetësinë, arsimin, zhvillimin ekonomik, si dhe faktin që Asociacioni të financohet nga Beogradi”.
“Statuti i Asociacionit është një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ne i kushtojmë vëmendje çdo shkronje sepse ai duhet të përfaqësojë vetë shtyllën kurrizore të Asociacionit të komunave serbe dhe gjithçka duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”, ka thënë mes tjerash Petkoviq.
Petkoviqi ka përsëritur sërish “gatishmërinë e Beogradit zyrtar për të zbatuar gjithçka që është nënshkruar dhe rënë dakord”.
“Sigurisht që kemi biseduar për gjërat që kanë të bëjnë me obligimet e Beogradit dhe Prishtinës në kuadër të dialogut dhe kur është fjala për marrëveshjet e nënshkruara dhe ato gjëra për të cilat janë rënë dakord. Ne nuk ikim nga obligimet tona”, ka thënë ai, raporton “REL”.
Sipas tij, vetëm me zgjidhje kompromisi mund të arrihet përparim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Edhe Petkoviqi ka thënë se Lajçaku ka vlerësuar që nuk ka qenë i nevojshëm një takim trepalësh.