Petkoviqi dënon aksionin policor në veri të Kosovës

13 qershor 2023 | 17:01

I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka deklaruar se Millun Millenkoviq – Llune nuk është kriminel dhe se Policia e Kosovës nuk ka prova për akuzat ndaj tij.

“Ai është një luftëtar i shquar për interesat kombëtare serbe dhe për të drejtat e serbëve në veri të Kosovës”, ka thënë ai gjatë një konference për media në Beograd.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka arrestuar Millun Millenkoviq- Llune, që ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”.

Sipas Sveçlës, ai dyshohet se ka organizuar sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri.

Petkoviqi ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vend se të ulë tensionet, po dërgon forca të reja policore në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Petkoviqi i ka bërë thirrje KFOR-it që të reagojë urgjentisht dhe të largojë njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Ai po ashtu ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës ka biseduar disa herë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.

Petkoviqi  ka thënë se komandantit i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, do të qëndrojë në Beograd të mërkurën, më 14 qershor, dhe do të zhvillojë bisedime me Vuçiqin dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviq.

Pas këtij aksioni policor në veri të Kosovës më 13 qershor, ku janë lënduar tre zyrtarë policorë, serbët lokalë janë mbledhur në Lagjen e Boshnjakëve. Atje, përveç Policisë së Kosovës janë parë edhe ushtarët amerikanë të KFOR-it.

Një pjesë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë tërhequr, por një zyrtar policor tha se ky institucion po e “riorganizon” praninë në veri.

Operacioni në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, vjen në të njëjtën ditë kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se i ka paraqitur bashkësisë ndërkombëtare një plan prej pesë pikash, që sipas tij do të ndihmojë në uljen e tensioneve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia ka arrestuar një person të martën, pasi tre persona…