Petkoviqi dhe ambasadori rus në Beograd bisedojnë për dialogun Beograd-Prishtinë
11 dhjetor 2020
| 13:46
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka takuar të premten ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandër Bocan-Kharchenko.
Arsye e takimit të tyre është procesi i dialogut në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, shkruan “Kosovo-online”.
“Në raundin e djeshëm në nivel teknik, çështja e parë për të cilën Beogradi insistoi ishte formimi i Asociacionit të komunave serbe, me të gjitha kompetencat sipas marrëveshjes së Brukselit, që është obligim për Prishtinën që prej dy mijë e 800 ditësh”, ka thënë Petkoviqi.
Ai ka thënë se kjo është kyçe në mënyrë që procesi i dialogut të ecë para.
Petkoviqi ka falënderuar ambasadorin rus për përkrahjen që u jep Moska në mbrojtjen e interesave shtetërore.