Petkoviqi: Do të kërkojmë zgjidhje kompromisi në Bruksel, por s’lejojmë anulimin e dokumenteve serbe
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se lidhur me vendimin për reciprocitet të Kosovës me dokumente se do të kërkojnë zgjidhje kompromisi në Bruksel.
Ai për “TV Pink” është shprehur se Beogradi nuk do të lejojë që të anulohen dokumentet serbe.
“Nuk ka më lëshim të dokumenteve hyrëse-dalëse që Prishtina ka dashur t’ua imponojë qytetarëve të Serbisë që hynë në ‘Kosovë e Metohi’. Në këtë mënyrë ne jemi kthyer në një pozicion ku të gjitha këto çështje mund t’i diskutojmë në Bruksel”.
“Do të jetë një luftë e fortë dhe intensive për të normalizuar situatën me zgjidhje kompromisi. Prandaj është e nevojshme të jemi në Bruksel. Nuk kemi ikur nga dialogu”, është shprehur Petkoviqi.
Derisa në anën tjetër ka thënë se Aleksandër Vuçiq e ka refuzuar takimin me Albin Kurti në Bruksel më 19 korrik me arsyetimin se kanë qenë të përgatitur për atë që do të ndodhte më 1 gusht.