Petkoviqi i ankohet ambasadorit amerikan, provon t’ia mbushë mendjen se Kosova po ‘bën thirrje’ për luftë
Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Serbi, Petar Petkoviq, ka takuar ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill, të cilit ka provuar t’ia mbushë mendjen se Kosova po bën thirrje për luftë.
Ai është ankuar te diplomati amerikan se Prishtina ka bërë “veprime të njëanshme dhe joligjore në veri me vendimin për targa”.
Petkoviqi rëndom nga takimet e tij me zyrtarë të huaj, njofton vetëm për versionin e tij të takimit pa treguar se çfarë ka deklaruar pala tjetër.
“Në anën tjetër, në vend të negociatave, Albin Kurti dëshiron t’ua shfaq armët dhe t’i kërcënojë serbët në krahinë”, ka thënë ai.
Vartësi i Vuçiqit në qeverisje, Petkoviqi ka deklaruar po ashtu se “s’ka normalizim të marrëdhënieve nën armë dhe mjete të blinduara”.
“Vetëm njoftimi nga Prishtina se në Bruksel nuk do të diskutohet për kartat e identitetit dhe targat serbe, as se Kurti është i gatshëm të formojë Asociacionin e Komunave Serbe , por se po paralajmëron masa të reja të një anshme nga 1 shtatori, gjë që tregon se Prishtina nuk dëshiron të ndërtojë paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këto zona. Çdo ditë jemi dëshmitarë të përpjekjeve të Prishtinës për të shfuqizuar plotësisht dhe për ta bërë të pakuptimtë dialogun dhe për të shkatërruar çdo urë të mundshme bashkëpunimi dhe besimi që do të ndërtonim. Pavarësisht kësaj, Beogradi mbetet i përkushtuar ndaj dialogut”, ka thënë Petkoviqi.