Petkoviqi: Kurti s’do të marrë vizë për në SHBA derisa e sulmon Beogradin
Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha sot se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “nuk do ta marrë vizën për në SHBA më shpejt derisa e sulmon Beogradin zyrtar dhe presidentin Aleksandër Vuçiq, për shkak të bashkëpunimit me Rusinë”.
Duke folur, si zakonisht, për politikën “e mirë” të presidentit serb, Petkoviq tha se ajo nuk mund të lëkundet nga intervistat e kryeministrit Kurti.
“Vetëm në realitetin paralel në të cilin jeton Albin Kurti, është e mundur të akuzohet Beogradi se po eksporton destabilitet në rajon, sepse është ai që me veprimet e tij të njëanshme dhe të dhunshme cenon paqen e fituar me vështirësi në Kosovë”, tha Petkoviq.
Kryeministri Kurti, në një intervistë për gazetën malazeze, Pobjeda, theksoi rolin destruktiv të Serbisë në rajon, e cila tha se është problemi më i madh i Kosovës.
“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë të njëjta: nuk janë as më të mira e as më të këqija”, ka thënë Kurti. “Kemi të bëjmë me një shtet që nuk e njeh Kosovën, i cili është autokratik dhe pro Moskës. Nga ana tjetër, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka integritetin e vet territorial, por edhe shumë probleme”.
“Problemi ynë më i madh është Serbia, e cila as nuk mund ta imagjinojë dhe as ta pranojë Kosovën si shtet fqinj të barabartë”, është shprehur Kurti.
Ai tha se Serbia po sillet ngjashëm me Rusinë në raport me fqinjët e saj në Ballkanin Perëndimor.
“Serbia po sillet si Rusia në fqinjësinë e saj në Ballkanin Perëndimor: po përpiqet ta kthejë Republika Srpskan në Bjellorusi dhe Malin e Zi në Ukrainë. Në thelb, Serbia nuk e njeh shtetësinë e vendeve jashtë BE-së – Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, madje edhe Maqedonisë së Veriut. Përkundrazi: i konsideron këto shtete të përkohshme dhe angazhon të gjitha kapacitetet e saj për ta shkatërruar shtetësinë e tyre”, ka thënë kryeministri.