Petkoviqi: Shkarkimi i ekipit menaxhues çon në shfuqizimin e asociacionit dhe dialogut

03 maj 2023 | 11:09

Kryengociatori serb në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë se vendimi për shkarkimin e ekipit menaxhues, i cili ka hartuar draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe që është prezantuar të martën në Bruksel, është “i njëanshëm dhe i paligjshëm”.

Petkoviqi ka thënë se ky vendim “çon në shfuqizimin e asociacionit dhe dialogut”.

“Mandati i ekipit menaxhues nuk përfundon me prezantimin e draft-statutit të asociacionit, por ekipi drejtues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të asociacionit, deri në themelimin e tij”, ka thënë Petkoviqi.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “e ka ndërprerë procesin e formimit të asociacionit”, raportojnë mediat serbe.

“Tani mendoj se është e qartë për të gjithë se Kurti nuk dëshiron ta formojë asociacionin dhe se dëshiron ta shmangë këtë obligim të rëndësishëm në çdo mënyrë”, ka thënë ai, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që “ta ndalojë menjëherë paligjshmërinë e Kurtit”.

“Me këto lëvizje të sforcuara Kurti tregon pa mëdyshje se nuk dëshiron as paqe e as dialog. Paligjshmëria e Albin Kurtit duhet të ndalet urgjentisht nga BE-ja, sepse shkarkimi i ekipit menaxhues çon në shfuqizimin e Asociacionit dhe rrjedhimisht edhe shfuqizimin e procesit të dialogut”, ka përfunduar Petkoviq.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mjeku i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Vivek Murthy, ka…